Strukturat e Prokurorisë së Posaçme dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku janë gjetur pije alkoolike dhe pajisje për shpërndarjen e internetit.
Kontrollet janë kryer në qelitë e IEVP Bradashesh, ndërsa sendet e gjetura janë sekuestruar për t’iu nënshtruar ekspertimit.
Mes personave që ndodhen të paraburgosur në këtë institucion është edhe biznesmeni Ergys Agasi, i cili u arrestua pak javë më parë në Durrës, pas më shumë se tetë muajsh në kërkim.
Megjithatë, deri tani nuk ka një të dhënë zyrtare që sendet e gjetura në ambientet e paraburgimit i përkasin Agasit. Burime bëjnë me dije se pije alkoolike dhe pajisje për shpërndarjen e internetit janë gjetur të fshehura në kuzhinën e institucionit, ndërsa agjentët e BKH-së i kanë marrë për ekspertim për të përcaktuar se kujt i përkasin.
Kontrollet vijnë në një moment kur Agasi ndodhet nën akuzë nga SPAK, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj. Prokuroria e Posaçme i akuzon për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, të dyshuar për manipulimin e tenderave të AKSHI-t.
Hetimi ndaj tyre përfshin gjithashtu pretendime për përdorim të dhunës dhe pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe.
Agasi ka qenë prej vitesh një emër i njohur në politikë dhe administratën publike, veçanërisht për lidhjet e tij me Partinë Socialiste. Ai ka mbajtur edhe postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit.
Emri i tij është lidhur ndër vite edhe me strukturat socialiste në Durrës, ndërsa është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi.



