KreuAktualitetEkonomiaMiratohen pagat e reja të magjistratëve/ Komisioni i Ekonomisë sfidon formulën e...

Miratohen pagat e reja të magjistratëve/ Komisioni i Ekonomisë sfidon formulën e KLGJ dhe KLP

Me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim projektligjin e mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke rikthyer në qendër të debatit përplasjen mes Kuvendit dhe KLGJ-së e KLP-së për kompetencën e përcaktimit të pagave.

Drafti i propozuar nga mazhoranca parashikon rritjen e koeficientit të pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas përllogaritjeve të paraqitura në komision, bëhet fjalë për një rritje prej rreth 8,500 lekësh të pagës referuese.

Kjo shumë është shumë më e ulët se rritja e miratuar më herët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilët kanë përcaktuar një pagë referuese prej 222,425 lekësh.

Pikërisht këtu u përqendrua edhe debati në Komisionin e Ekonomisë.

Mazhoranca këmbëngul se formula e propozuar respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se kompetenca për përcaktimin me ligj të pagave i takon Kuvendit.

Deputetja socialiste Aulona Bylykbashi, një nga propozuese e draftit, tha se Kushtetuesja nuk ka përcaktuar një formulë të vetme numerike për pagat, por i ka lënë ligjvënësit hapësirë për të zgjedhur modelin.

Sipas saj, ndryshimi i koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit është rezultat i vlerësimit të bërë nga mazhoranca, ndërsa paga përfundimtare ndikohet edhe nga grupi i funksionit dhe vjetërsia.

Por deputeti socialist Erion Braçe e çoi më tej kritikën ndaj vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së.

Braçe tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ua ka dhënë këtyre dy institucioneve kompetencën për të përcaktuar vetë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ia ka lënë këtë përgjegjësi Kuvendit.

Ai i cilësoi vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së si akte pa bazë ligjore dhe ngriti shqetësimin për përdorimin e parave të buxhetit të shtetit.

Sipas tij, paratë e Thesarit nuk mund të konsiderohen si fonde në dispozicion të institucioneve që marrin vendime për pagat, pasi ato janë para të taksapaguesve.

Qeveria mbështeti draftin e mazhorancës. Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se koeficienti 0.38 përmbush standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Ministria e Financave e konsideroi të përballueshme koston që sjell ndryshimi për buxhetin.

Opozita, nga ana tjetër, e kundërshtoi projektligjin.

Deputeti demokrat Eno Bozdo akuzoi qeverinë se ka krijuar krizën aktuale duke mos zbatuar në kohë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një fature të plotë financiare për projektligjin.

Edhe deputeti demokrat Bujar Leskaj i cilësoi vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së për pagat si të paligjshme, por njëkohësisht akuzoi mazhorancën se po e përdor Kuvendin në funksion të kryeministrit Edi Rama.

Përplasja për pagat e magjistratëve shpërtheu pas skadimit të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Në vendimin e saj, Kushtetuesja i la Kuvendit kohë deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme.

Por afati kaloi pa u miratuar formula e re.

Në këto kushte, më 26 gusht KLGJ miratoi pagën e re referuese për gjyqtarët, ndërsa dy ditë më vonë KLP bëri të njëjtën gjë për prokurorët. Vendimet parashikonin një rritje të ndjeshme të pagave.

Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat sipas kësaj formule, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë që duhet të ushtrohet përmes ligjit nga Kuvendi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat