Një sërë ligjesh të miratuara në vitet e fundit janë rikthyer për ndryshim edhe pasi kanë hyrë në fuqi. Ndërhyrjet kanë prekur fusha të rëndësishme, nga komunikimet elektronike dhe menaxhimi i ujërave, te organizimi i profesioneve të rregulluara.
Një nga rastet më të fundit është ligji nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. Ligji hyri në fuqi në dhjetor 2024, ndërsa rreth një vit më vonë u hartua projektligji për ndryshimin e tij.
Ndryshimet e propozuara lidhen me rregullat e roaming-ut dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Sipas dokumentacionit të konsultimit publik, ndërhyrja synon krijimin e kushteve për zbatimin e parimit “Roam Like at Home” dhe përafrimin e mëtejshëm me rregullat europiane të komunikimeve elektronike.
Ndryshimi prekte drejtpërdrejt operatorët e komunikimeve elektronike dhe konsumatorët e shërbimeve celulare. Konsultimi publik për projektligjin u zhvillua në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026.
Një tjetër ligj relativisht i ri që është rikthyer për ndryshim është ligji nr. 29/2024 “Për burimet ujore”. Pas miratimit të tij në vitin 2024, kuadri ligjor për administrimin e ujërave është rishikuar sërish në vitin 2026.
Ndryshimet e reja prekte organizimin dhe administrimin e sektorit të ujërave dhe kompetencat e strukturave përgjegjëse. Kjo e bën sektorin e ujërave një nga fushat ku kuadri ligjor është rishikuar në një periudhë relativisht të shkurtër pas miratimit të ligjit bazë.
Ndërhyrje të shpejta janë bërë edhe në ligje që rregullojnë profesione dhe institucione të caktuara.
Një rast i veçantë është ligji për Urdhrin e Mjekëve. Në vitin 2024 u ndërhy në këtë kuadër përmes një akti normativ, i cili më pas u miratua nga Kuvendi. Në vitin 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e aktit normativ, duke rrëzuar ndërhyrjen ligjore.
Ndërhyrjet nuk kanë të njëjtin efekt. Në rastin e komunikimeve elektronike, ndryshimi synon kryesisht përafrimin me rregullat europiane dhe prek marrëdhëniet mes operatorëve dhe konsumatorëve. Në sektorin e ujërave ndryshimet preken strukturat dhe kompetencat e administrimit publik. Ndërsa në rastin e Urdhrit të Mjekëve, ndërhyrja e vitit 2024 u përball më pas me kontrollin kushtetues.
Të dhënat zyrtare të konsultimit publik tregojnë gjithashtu se ndryshimi i ligjit për komunikimet elektronike u hodh për konsultim në fund të vitit 2025, vetëm rreth një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Fenomeni i ndryshimeve të shpeshta të legjislacionit prek drejtpërdrejt stabilitetin e rregullave që zbatohen nga qytetarët, bizneset dhe institucionet. Sa më shpesh të ndryshojë një ligj menjëherë pas miratimit, aq më e vështirë bëhet ndjekja e një kuadri ligjor të qëndrueshëm.



