Një debat i tensionuar është shënuar në Komisionin e Ligjeve mes kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, dhe kreut të Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.
Përplasja nisi kur Hoxha kërkoi që Unioni të shprehte qëndrimin e tij edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Manja i kërkoi të fokusohej te projektligji për pagat e magjistratëve që po shqyrtohej në komision.
Hoxha kundërshtoi ndërhyrjen e Manjës, duke thënë se Unioni duhej të kishte mundësi të shprehte lirshëm qëndrimin e tij.
“Na keni thirrur këtu, do na respektoni dhe do ta dëgjoni çfarë do të themi”, tha Hoxha.
Ai argumentoi se vendimi i Kushtetueses ishte pikënisja e diskutimit dhe se nuk mund të flitej vetëm për projektligjin pa iu referuar atij vendimi.
“Do flasim për vendimin e Kushtetueses, ku është zanafilla. Nuk mund të shkojmë të flasim për degët, kur kemi prerë pemën”, u shpreh kreu i Unionit të Gjyqtarëve.
Debati mes tyre vijoi me replika, ndërsa Manja i kërkoi Hoxhës të ndryshonte mënyrën e komunikimit.
Në një moment, kryetari i Komisionit të Ligjeve urdhëroi fikjen e mikrofonit të Hoxhës.
“Ju nuk mund të interpretoni fjalët e mia”, iu përgjigj Manja, duke shtuar se kishte “durim të gjatë” për të dëgjuar qëndrimin e Unionit.
Manja theksoi se Hoxha ishte i lirë të shprehte çdo qëndrim në emër të Unionit, por këmbënguli që diskutimi të bëhej në kuadër të projektligjit.
“Unë sot ju kam thirrur për projektligjin. Ju mund të thoni çfarë të doni, kështu që merrni fjalën, keni të gjithë kohën në dispozicion”, tha Manja.
Hoxha nga ana tjetër e cilësoi gjuhën e tij si të edukuar dhe i kërkoi komisionit të dëgjonte qëndrimin e Unionit pa e orientuar se çfarë duhej të diskutonte.



