Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dalë me një qëndrim të përbashkët në Kuvend pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Deklarata u lexua në seancën e sotme nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa në të shprehet “indinjata e thellë dhe mosdakordësia e plotë” me vendimin e gjykatës, të cilin Kuvendi e cilëson “thellësisht të padrejtë”.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vite burg: Hashim Thaçi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite dhe Jakup Krasniqi me 25 vite. Gjykata i gjeti përgjegjës për disa krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në deklaratën e përbashkët, Kuvendi i Shqipërisë thekson se lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e Kosovës dhe se vendimi gjyqësor nuk mund të ndryshojë atë që e cilëson si të vërtetën historike të popullit të Kosovës.
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi shprehet gjithashtu kundër asaj që e konsideron standard të dyfishtë në trajtimin e krimeve të luftës në rajon. Në deklaratë përmenden nderimet publike dhe shtetërore ndaj personave të dënuar për krime lufte, ndërsa kritikohet glorifikimi i figurave të lidhura me krimet e regjimit të Slobodan Miloševiçit, përfshirë Ratko Mladiçin.
Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me qëndrimin ndaj Serbisë dhe Rusisë. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për, sipas tij, instrumentalizimin politik të procesit gjyqësor dhe relativizimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në fund, Kuvendi deklaron solidaritet me Kosovën, institucionet e saj, familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së dhe vetë Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin.
Kuvendi shprehet gjithashtu se mbetet i bindur për pafajësinë e tyre dhe kërkon që procesi të vijojë në të gjitha shkallët e parashikuara nga ligji.
“ Kjo nuk është fjala e fundit”, thuhet në deklaratë, ndërsa Kuvendi kërkon që të ndiqen të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit.
Deklarata e përbashkët e PS-së dhe PD-së vjen një ditë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.



