SPAK ka nisur veprimet konkrete pas kallëzimit të bërë nga gjyqtarët lidhur me bllokimin e pagave të magjistratëve për muajin gusht.
Në kuadër të hetimit, është marrë në pyetje Elmira Peto, përgjegjëse e Thesarit për degën e Tiranës. Ajo është thirrur nga agjentët e BKH-së në cilësinë e personit që ka dijeni dhe ka dhënë deklarime lidhur me mos-ekzekutimin e pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën e sistemit të drejtësisë.
Hetimi nisi pas kallëzimit penal të depozituar më 10 shtator ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe 12 përgjegjësve të degëve të Thesarit.
Më herët, agjentë të BKH-së kanë administruar dokumente në Kuvend dhe në Ministrinë e Financave. Në Kuvend është marrë procesverbali i Këshillit të Legjislacionit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, ndërsa në Ministrinë e Financave janë marrë dokumente që lidhen me listëpagesat e anuluara dhe urdhrat për mos-ekzekutimin e tyre.
Në kallëzim, gjyqtarët pretendojnë se zyrtarët kanë konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës” dhe “mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.



