Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot ligjin e ri për pagat e magjistratëve, vetëm pak orë pasi Kuvendi e miratoi në orët e para të mëngjesit me 84 vota pro.
Ligji nr. 95/2026, që ndryshon formulën e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është futur në fuqi menjëherë, me argumentin e urgjencës për zhbllokimin e pagave të magjistratëve, të cilat nuk ishin ekzekutuar që prej 1 gushtit.
Sipas argumentimit të Presidentit, hyrja në fuqi e menjëhershme ishte e nevojshme pasi, pa ligjin e ri, Thesari i Shtetit nuk mund të vijonte pagesat për gjyqtarët dhe prokurorët.
Kuvendi kishte kërkuar që ligji të hynte menjëherë në fuqi, me qëllim që pagesat e bllokuara të mund të çliroheshin që prej 18 shtatorit.
Formula e re përcakton pagën referuese bazë në masën 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Ligji parashikon gjithashtu që efektet financiare të llogariten në mënyrë prapavepruese, duke nisur nga 1 prilli 2023.
Dekretimi i ligjit nuk i ka dhënë fund debatit për nivelin e pagave. Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kundërshtuar formulën e miratuar nga Kuvendi dhe kanë paralajmëruar ndjekjen e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.



