KreuAktualitetRajoni“Pse nuk i hiqet imuniteti Ballukut?”/ BE i "tërheq veshin" Qeverisë

“Pse nuk i hiqet imuniteti Ballukut?”/ BE i “tërheq veshin” Qeverisë

Në Tiranë u zhvillua sot takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku në fokus ishin reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.

Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lim vlerësoi punën e SPAK-ut, duke theksuar se institucioni gëzon një nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë. Megjithatë, ajo ngriti shqetësime lidhur me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen kërkesat për heqjen e imunitetit të zyrtarëve.

Wiseler-Lim iu referua edhe rastit të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e lidhur çështjen e imunitetit me rolin e Parlamentit në një proces hetimor.

“SPAK-u është një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët”, tha eurodeputetja.

Ajo theksoi se pavarësia e drejtësisë nuk mund të konsiderohet e garantuar vetëm nga krijimi i institucioneve të reja.

“Pavarësia nuk sigurohet menjëherë. Kërkesat për imunitet, për shembull, vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendoset këtu. Ndërkohë, anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga Parlamenti”, u shpreh Wiseler-Lim.

Sipas saj, sfida kryesore është që reforma në drejtësi të mbetet e pakthyeshme.

“Pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

Eurodeputetja foli edhe për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, duke iu referuar vlerësimit të OSBE/ODIHR-it se procesi ishte konkurrues, por jo gjithmonë zhvillohej në kushte të barabarta.

Ajo kërkoi bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se ato kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament.

Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte transparenca në investimet e mëdha dhe kuadri ligjor për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura.

Wiseler-Lim tha se amendamentet e propozuara për zonat e mbrojtura nuk ishin ende në axhendën e Parlamentit dhe kërkoi që kjo çështje të trajtohet sa më shpejt.

Ajo e lidhi përparimin në këto fusha edhe me mbylljen e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, të cilët lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

“Gjithmonë hetimet janë fillimi, por nuk janë përfundimi”, tha eurodeputetja, duke nënvizuar rëndësinë e konfiskimeve dhe dënimeve si rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Në fund të fjalës së saj, Wiseler-Lim u bëri thirrje deputetëve shqiptarë që të dëgjojnë më shumë shqetësimet e qytetarëve.

“Roli i Parlamentit nuk është vetëm të miratojë ligje, por të dëgjojë edhe zërin e qytetarëve. Qytetarët po çojnë sinjale të qarta dhe duhet të dëgjohen”, u shpreh ajo.

Eurodeputetja tha se pret që Shqipëria të bëhet pjesë e Parlamentit Evropian në një të ardhme të afërt.

“Një ditë shumë afër, disa prej jush do të ulen krah nesh në PE dhe mezi e pres këtë ditë. Të punojmë së bashku që kjo ditë të arrijë sa më shpejt”, përfundoi Wiseler-Lim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat