Drejtuesit e mjeteve që përdorin autostradën Tiranë-Durrës duhet të kenë parasysh kufizimet e qarkullimit gjatë dy netëve të ardhshme.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se, për shkak të punimeve për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në të dyja drejtimet, në oraret e përcaktuara.
Sonte, 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet drejtimi Tiranë-Durrës.
Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, për t’u rikthyer në superstradë përmes rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit.
Për kamionët dhe mjetet e tjera të rënda, devijimi do të nisë që te rrethrrotullimi i “Casa Italia”, për të shmangur përdorimin e rampës provizore të Rinasit.
Ndërkohë, nesër, 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet drejtimi Durrës-Tiranë.
Qarkullimi do të devijohet përmes mbikalimit Kashar-Thumanë dhe më pas në rrugën dytësore në krahun e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku mjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.
Mjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen që në mbikalimin Kashar-Thumanë për të vijuar në drejtimet përkatëse.
Bllokimet lidhen me punimet për montimin e trarëve tërthorë në kuadër të Fazës III të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orarit të punimeve.



