Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Seanca e sotme plenare në Kuvend u zhvillua mes tensioneve të forta, brenda dhe jashtë godinës, me çështjen e arrestimit të ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, që dominoi përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës.
Që në nisje të seancës, Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH pas arrestimit të Hysenit. Kërkesa u rrëzua nga mazhoranca.
Vendimi solli reagimin e opozitës. Deputetët demokratë rrethuan foltoren, ndërsa seanca u ndërpre për rreth 10 minuta. Përplasjet vijuan edhe pas rifillimit të punimeve, ku debati politik u përqendrua te përgjimet dhe akuzat e ngritura nga SPAK në dosjen Hyseni-Agasi.
Në një moment, deputeti socialist Blendi Klosi iu përgjigj Sali Berishës, duke e akuzuar se me deklaratat e tij po cenonte sigurinë kombëtare. Klosi tha se Partia Socialiste nuk do të marrë në mbrojtje asnjë zyrtar që përballet me drejtësinë. Përplasja u shoqërua me deputetët e opozitës që u afruan pranë foltores.
Protesta, jashtë Kuvendit
Në të njëjtën kohë, jashtë godinës së Kuvendit u zhvillua protesta e paralajmëruar nga qytetarë dhe aktivistë. Policia kishte marrë masa të shtuara sigurie dhe kishte vendosur gardhe metalike përreth zonës, për të penguar afrimin e protestuesve pranë godinës.
Protesta ishte pjesë e tubimeve të zhvilluara prej javësh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Këtë herë tubimi u zhvendos pranë Parlamentit, në përputhje me njoftimet e organizatorëve për ditët kur zhvillohen seancat plenare.
Ligjet kaluan mes tensioneve
Pavarësisht përplasjes politike dhe kaosit në sallë, pas rikthimit të seancës në normalitet, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijoi me rendin e ditës.
Në votim kaloi projektligji për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza. Për këtë projektligj kërkohej shumicë absolute votash.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike, për të cilin kërkohej shumicë e thjeshtë.
Pas votimeve, seanca u mbyll, ndërsa debati politik mbeti i përqendruar te dosja e SHISH dhe akuzat e opozitës ndaj qeverisë.
Kjo seancë u zhvillua vetëm dy ditë pas arrestimit të ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, një çështje që pritet të vijojë të jetë në qendër të përplasjeve politike edhe në ditët në vijim.



