Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës që kundërshtonin zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Deputetët kishin kërkuar verifikimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi, si dhe shqyrtimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërive të Shabanit me funksionin. Në kërkesë ishte kundërshtuar edhe vendimi i Kuvendit i 11 dhjetorit 2025 për zgjedhjen e tij.
Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota në Kuvend. Kushtetuta parashikon që Avokati i Popullit zgjidhet me tri të pestat e të gjithë deputetëve dhe mandati i tij është pesëvjeçar.
Pas vendimit, institucioni i Avokatit të Popullit e ka përshëndetur qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se gjatë shqyrtimit të çështjes ka ruajtur paanshmërinë dhe nuk ka mbajtur qëndrim mbi themelin e kërkesës.
Në reagimin e tij, Shabani shprehet se Gjykata Kushtetuese ka verifikuar procedurën e ndjekur nga Kuvendi dhe ka konstatuar përputhshmërinë e saj me Kushtetutën.
“Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagim.
Shabani thekson se institucioni që ai drejton ia la vlerësimin Gjykatës Kushtetuese, si organi që ka kompetencën për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
“Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, përfundon reagimi.
Me vendimin e Kushtetueses, zgjedhja e Endrit Shabanit në krye të institucionit të Avokatit të Popullit mbetet në fuqi.



