Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektet e zhvillimit urban në Tiranë dhe përfshirjen e arkitektëve ndërkombëtarë në to, duke kundërshtuar akuzat se qytetarët janë larguar me forcë nga banesat e tyre për t’u hapur rrugë projekteve private.
Gjatë fjalës së tij në konkursin për ndërtimin e një tjetër kulle në Tiranë, në zonën ku ndodhet aktualisht “Taiëani”, Rama tha se qeveria nuk ka përdorur forcën për të larguar pronarët nga banesat e tyre në funksion të projekteve private.
“Absurditeti që në projektet tona ne bëjmë nxjerrje me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët ndërkombëtarë i bëjnë pa pasur parasysh njerëzit. Nuk ka ndodhur për asnjë arsye në Shqipëri nxjerrje me forcë nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te kritikat ndaj arkitektëve të huaj që janë përfshirë në projektet e transformimit urban të Tiranës. Sipas tij, ata nuk janë sjellë në Shqipëri për të realizuar projekte që nuk do të mund t’i ndërtonin në vendet e tyre.
Rama tha se zhvillimi urban në Shqipëri zhvillohet përmes rregullave dhe se fakti që ka debate për mënyrën e ndërtimit të qytetit nuk do të thotë se projektet realizohen pa kritere.
“Ajo që është pastaj kulmi në këtë qasje është që arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë art ëashing, buldozer politics dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve. E vërteta është krejt ndryshe. Kemi pasur vazhdimisht diskutime për rregullimin dhe për pengesa në zhvillimin urban, por kjo nuk do të thotë që në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla”, u shpreh kryeministri.
Rama: Kritikat ndaj arkitektëve të huaj vijnë nga “xhelozia”
Duke folur për kundërshtimet ndaj përfshirjes së arkitektëve ndërkombëtarë në projektet e Tiranës, Rama e lidhi këtë qëndrim me atë që ai e cilësoi si “xhelozi” dhe “nacionalizëm”.
“Ka diçka shumë të qartë për mua në gjithë këtë qasje agresive ndaj këtij procesi që është xhelozia. Xhelozia e njerëzve mediokër dhe njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, pas pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe nuk kapen pas profesionit, argumenteve dhe pas mundësisë për të qenë konkurrues”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se projektet e mëdha urbane kërkojnë një numër të madh profesionistësh dhe ekspertize të specializuar, duke thënë se Shqipëria nuk e ka ende kapacitetin e plotë për t’i realizuar ato vetëm me burimet e saj.
“Sot Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh i hapur në natyrë. Ndërtimi i kullave është kaq kompleks dhe kërkon kaq shumë profesionistë, sa duhet ta pranojmë se nuk kemi kapacitetin dhe dijen për të bërë këtë gjë. Nuk kemi të bëjmë me një komunitet biznesmenësh, por me një komunitet dijeje”, përfundoi Rama.



