Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ngërçi mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për rregulloren e re të sigurisë është bërë pjesë e debatit në Kuvend. Gjatë raportimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputetët kërkuan shpjegime për qëndrimin e institucionit dhe mundësinë e ndërhyrjes për zgjidhjen e konfliktit.
Kryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi, këmbënguli se rregullorja është në kompetencën e GJKKO-së dhe se palët që kanë kundërshtime duhet t’i drejtohen vetë gjykatës.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e pyeti Rusin se cili është roli i Këshillit në këtë situatë dhe nëse duhet të ketë një rregullore të standardizuar për gjykatat.
“Cili është roli i Këshillit në këtë proces, a duhet të ketë një rregullore të standardizuar? Ju u mblodhët për pagat në gusht me shpejtësi, pse nuk bëni të njëjtën gjë edhe për këtë bojkot, pse nuk i ulni palët dhe të mbani një qëndrim?”, pyeti Xhafaj.
Në përgjigje, Rusi përsëriti qëndrimin e institucionit: “Ajo rregullore është në kompetencë të asaj gjykate, le t’i adresohen gjykatës ata që kanë shqetësime”.
Edhe pas një tjetër ndërhyrjeje, Rusi nuk ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se nuk mund të merrte përsipër të jepte një përgjigje tjetër. “Qëndrimi është ky dhe nuk marr dot përsipër të them tjetër. Kjo është përgjigjja, nëse nuk e ankimoni, është në fuqi pastaj”, u shpreh ai.
Xhixho: Bojkoti nuk mund të vazhdojë pa afat
Nga opozita, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkoi që Kuvendi dhe komisioni të nxisin dialogun mes palëve dhe të kontribuojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kuvendi dhe ky komision të nxisë dialogun dhe të gjejë zgjidhje. Nuk mund të vazhdojë ky bojkot pa afat”, deklaroi Xhixho.
Ajo ngriti gjithashtu dyshime për mënyrën se si po zhvillohet konflikti, duke thënë: “Unë mund të aludoj që mund të jetë i stisur si konflikt”.
Sipas Xhixhos, rregullorja duhet të jetë e standardizuar dhe institucionet nuk mund të shmangin përgjegjësinë duke ia kaluar çështjen vetëm gjykatës.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, paralajmëroi për pasojat që mund të sjellë vazhdimi i përplasjes mes institucioneve të drejtësisë dhe avokatëve.
“Ngërçi i krijuar mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme”, u shpreh Kaso.
Në përfundim të diskutimeve, komisioni kërkoi nga KLGJ-ja të luajë një rol më aktiv në trajtimin e situatës, duke i kujtuar se administrimi i pushtetit gjyqësor është një përgjegjësi kushtetuese e institucionit.
Xhafaj kritikon KLP-në për vonesat në vlerësimin e prokurorëve
Përplasjet gjatë mbledhjes nuk u kufizuan vetëm te rregullorja e GJKKO-së. Gjatë raportimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Xhafaj kritikoi këtë institucion për vonesat në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve, si dhe për mosmiratimin e disa akteve nënligjore që kërkohen nga ligji.
Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, argumentoi se procesi aktual i vlerësimit është tepër i detajuar dhe se duhet të thjeshtohet.
“Procesi i vlerësimit etik dhe profesional nuk mund, në gjykimin tim, nuk duhet të jetë kaq i detajuar. Ai është vlerësim periodik, bëhet një herë çdo 3 ose 5 vite. Ky është proces që duhet thjeshtuar”, deklaroi Bogdani.
Ajo shtoi se qëllimi i vlerësimit është përmirësimi i punës dhe rritja e efikasitetit në prokurori, ndaj procedura duhet të jetë më e thjeshtë dhe më e natyrshme.
“Ky nuk është një shkencë raketash, të cilën ne po përpiqemi ta bëjmë, është një proces që duhet të jetë normal, i natyrshëm”, u shpreh kryetarja e KLP-së.
Përgjigjja e saj u pasua nga një reagim ironik i Xhafajt, i cili kritikoi mënyrën se si Këshilli ka funksionuar dhe rezultatet e arritura deri më tani.
“Faleminderit Zotit që nuk ju ka dhënë të bëni shkencë raketash, se me atë kohezion e konsensus në këshill nuk do të hidhnit një raketë, por 11 raketa. Nuk dihet se çfarë gjëme do të bënit”, deklaroi Xhafaj.
Ai e cilësoi situatën “skandaloze”, duke vënë në dukje se, sipas tij, pas dështimit në procesin e vlerësimit, pati edhe kërkesa për promovime.
“Është se, pasi kishin dështuar në këtë proces, kërkuan edhe të promovoheshin, kjo e bënte skandaloze pra kurajoja të ngrihesh mbi dështim”, u shpreh Xhafaj.
Kreu i komisionit ngriti si problem edhe faktin që një pjesë e akteve nënligjore, të cilat ligji e detyron KLP-në t’i miratojë, ende nuk janë përfunduar.
“Do t’u kërkoja mirëkuptim kolegëve, kemi dy probleme, ndër shumë probleme që ka Këshilli: aktet nënligjore, që ju detyron ligji, dhe pas kaq vitesh ju jeni në pikën zero për një pjesë të tyre; kemi edhe procesin e vlerësimit”, deklaroi ai.
Në përfundim, komisioni kërkoi që KLP-ja të paraqesë një plan pune të miratuar për procesin e vlerësimit të prokurorëve. Sipas Këshillit, ecuria e këtij procesi lidhet edhe me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.



