Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ndërsa para Ministrisë së Arsimit protesta vijon mes tensioneve dhe përplasjeve, Këshilli i Ministrave ka zhvilluar mbledhjen e radhës, duke miratuar një sërë vendimesh dhe projektligjesh.
Në rendin e ditës kanë qenë çështje që lidhen me koncesionet dhe partneritetet publike-private, organizimin e ceremonive të dekorimeve, institucionet mjekësore të posaçme, si dhe një marrëveshje për mbrojtjen shoqërore mes Shqipërisë dhe Moldavisë.
Një nga vendimet e miratuara lidhet me drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Adriatik Kupi është liruar nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ndërsa në këtë pozicion është emëruar Sadleva Bodo.
Qeveria ka miratuar gjithashtu, në parim, marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë për mbrojtjen shoqërore, si dhe rregullat për vlerësimin e studimeve të fizibilitetit dhe dhënien, ndryshimin e transferimin e kontratave koncesionare dhe të partneritetit publik-privat.
Në të njëjtën mbledhje janë miratuar edhe dy projektligje: ai për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës” dhe projektligji për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin.
Vendimet vijnë në një ditë kur protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje, duke e vendosur situatën në kryeqytet në qendër të vëmendjes publike.
Ndërsa protestuesit vijojnë tubimin, mbledhja e qeverisë është zhvilluar me një rend dite që përfshin çështje të administratës publike, financave, shëndetësisë dhe kulturës.



