Partia Demokratike në Elbasan pretendon se zjarri në mbeturinat e landfillit është i qëllimshëm për të fshehur vjedhjen që vazhdon pranë shoqërisë EcoAlb.
Blendi Himçi, kryetar i PD Elbasan tha se urdhrin për zjarrvënien e ka dhënë kryebashkiaku.
“Kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e vendosur nga vetë Bashkia Elbasan. Pa diskutim është vendosur ditë të shtune, kur njerëzit janë pushim, kur mediat janë pushim në përgjithësi dhe që të kishte një sensibilizim sa më të pakët. Ka ndodhur gjatë natës, kur temperaturat janë të ulëta, pra jemi para një zjarrvënie të qëllimshme, me urdhër të posaçëm të kryetarit të bashkisë Elbasan, por edhe instanca të tjera për të mbuluar vjedhjen që ndodh në incenerator. Inceneratori ka punuar vetëm 3 muaj. Mali me plehra ka kaluar çdo përmasë dhe për të ulur sasinë e mbetjeve urbane i vihet flaka. Sot Elbasani është zgjuar nën tymin dhe ajrin toksik të plehrave. Qytetarët elbasanas paguajnë 25 euro për ton për incenerim, ndërkohë që këtu ka vetëm landfillim. Kjo është vjedhje e hapur, ku shkojnë këto lekë. I bëj thirrje SPAK-ut të nisë një hetim kryesisht pikërisht për këtë gjë. Jemi para një krimi mjedisor dhe një megavjedhje të madhe që i ndodh Elbasanit dhe bashkive të tjera që paguajnë 25 euro për ton gjoja për incenerim, kur incenerim nuk ka. E kemi ngritur këtë çështje në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, por kryetari e ka kaluar me batuta”, deklaroi Himçi.
Deputeti i PD-së Qani Xhafa tha se inceneratori është kthyer në një metalurgjik të dytë.
“Jo më larg se dje kam pasur debat me ministren Kumbaro për problemin e inceneratoritn e Elbasanit por jo vetëm. Qeveria shqiptare ka dështuar me mbetjet, është kthyer vetë në mbetje që duhet të largohet sa më parë. I bëra thirrje ministres që inceneratori që kur u ble ishte problem, se ishte i viteve 70. Është kthyer në një Metalurgjik të dytë”, deklaroi deputeti i PD.