Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni Europian i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjes së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, duke evidentuar jo vetëm ngërçin politik dhe institucional që pasoi pezullimin e saj nga detyra, por edhe sulmet ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë.
Në seksionin për qeverisjen, raporti i referohet vendimit të Gjykatës së Posaçme të nëntorit 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra, në kuadër të hetimeve për shkelje të dyshuara të barazisë në tenderët publikë. Sipas Komisionit Europian, ky vendim u pasua nga një ngërç politik dhe institucional që zgjati tre muaj dhe përfundoi me një riorganizim të konsiderueshëm të qeverisë në shkurt 2026, ku u përfshinë shtatë ministra.
Por shqetësimi i Brukselit nuk lidhet vetëm me pasojat politike të çështjes. Komisioni Europian vëren se gjatë periudhës së raportimit, si shumica qeverisëse, ashtu edhe partia kryesore opozitare përdorën retorikë që diskreditonte gjyqësorin dhe anëtarë të veçantë të tij.
Sipas raportit, kjo gjuhë politike ngre shqetësime serioze për respektimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Çështja e Ballukut rikthehet edhe në faqen 29 të dokumentit, në pjesën që trajton pavarësinë e sistemit gjyqësor. Këtë herë, Komisioni Europian ndalet te reagimet e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ pas pezullimit të një zyrtari të lartë nga Gjykata e Posaçme dhe kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar.
Raporti thekson se këto zhvillime shkaktuan reagime të konsiderueshme negative, të shoqëruara edhe me sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK dhe institucioneve gjyqësore.
Komisioni evidenton gjithashtu se në disa çështje të profilit të lartë, politikanët kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e saj ose duke sulmuar verbalisht gjyqtarë të veçantë.
Në të njëjtën kohë, raporti vlerëson qëndrueshmërinë e institucioneve vetëqeverisëse të gjyqësorit, të cilat kanë reaguar publikisht kundër presionit politik.
Një tjetër e dhënë shqetësuese e evidentuar në dokument është vendosja nën mbrojtje e tetë magjistratëve, mes tyre dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë.



