Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit.
Gjatë prezantimit të Progres-Raportit të Komisionit Europian për Zgjerimin, Kallas e renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në BE, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
“Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Detyra tani është të ruajë këtë ritëm duke përshpejtuar reformat”, deklaroi Kallas.
Ajo theksoi se raporti i këtij viti përcjell një mesazh të qartë për vendet aspirante: reformat sjellin rezultate dhe përparimi drejt anëtarësimit varet nga përmbushja e kritereve dhe standardeve europiane.
Sipas Kallas, për herë të parë raporti për zgjerimin përfshin udhërrëfyes për negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, si vendet që aktualisht janë më të avancuara në proces.
Në fjalën e saj, zyrtarja e lartë europiane vuri theksin edhe te rëndësia strategjike e zgjerimit në kushtet e përkeqësimit të situatës gjeopolitike, luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe pasigurisë ekonomike.
“Zgjerimi është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e Europës”, u shpreh Kallas, duke nënvizuar se një Bashkim Europian më i madh do të forconte sigurinë, ekonominë dhe peshën gjeopolitike të kontinentit.
Ajo vlerësoi gjithashtu kontributin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në sigurinë europiane, përfshirë pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e BE-së, mbrojtjen e kufijve dhe luftën kundër manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.
Kallas theksoi se ritmi i anëtarësimit do të përcaktohet nga meritat dhe reformat e secilit vend, si dhe nga respektimi i shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
“Për dekada me radhë, zgjerimi ka qenë politika e jashtme më e suksesshme e Bashkimit Europian. Çdo raund zgjerimi e ka forcuar kontinentin tonë. Realiteti gjeopolitik i sotëm e bën raundin e ardhshëm edhe më urgjent”, deklaroi ajo.
Mesazhi për Shqipërinë është i qartë: hapja e të gjithë grupkapitujve përbën një arritje të rëndësishme, por përparimi i mëtejshëm dhe mbyllja e negociatave do të varen nga vijimi i reformave dhe përmbushja e detyrimeve të anëtarësimit.



