Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Projektligji për Bankën e Shqipërisë ka shkaktuar debate në Komisionin e Ligjeve, ku në fokus ishte neni 72, i cili parashikon mbrojtje për Guvernatorin nga arresti në burg, arresti në shtëpi dhe masa të tjera shtrënguese, kur akuzat lidhen me ushtrimin e detyrës.
Zv.guvernatorja e parë, Holta Zaçaj, argumentoi se kjo dispozitë synon të garantojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe të shmangë presionet e mundshme nga pushtetet e tjera. Sipas saj, mbrojtja nuk është imunitet personal, por një garanci për funksionimin e pavarur të institucionit.
Zaçaj sqaroi se, kur vepra penale nuk ka lidhje me detyrën, si në rastin e një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen, arrestimi mund të kryhet. Ndërsa për veprat që lidhen me funksionin e Guvernatorit, sipas saj, duhet të verifikohet nëse ekzistojnë prova të qenësishme dhe nëse akuza lidhet me ushtrimin e detyrës.
“Ne në nenin 72 kemi propozuar që arresti i Guvernatorit, nëse do të kërkohet, duhet të verifikohet nëse ka prova të qenësishme dhe nëse veprat penale për të cilat kërkohet arresti kanë lidhje me detyrën. Nuk është imunitet, por dispozitë garantuese”, deklaroi Zaçaj.
Ajo theksoi se synimi është që Guvernatori të mos pengohet në ushtrimin e detyrës përmes presioneve nga institucione të tjera.
“Ne mbrojmë institucionin duke mbrojtur Guvernatorin”, u shpreh Zaçaj.
Por ky argument u kundërshtua nga deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili vlerësoi se projektligji po i jep Guvernatorit garanci të veçanta, të cilat nuk parashikohen nga Kushtetuta.
“Po i japim Guvernatorit me ligj ca garanci që nuk i ka askush veç Presidentit. Kjo është e tepërt. Ne pranojmë dështimin e drejtësisë, garancinë ta jep gjykata. Duhet të jetë në nivel kushtetues, por jo t’i jepet garanci që nuk e përcakton norma kushtetuese. Rasti i vetëm që bëhet bypass”, deklaroi Gjiknuri.
Edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ngriti shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo dispozitë në hetimet penale. Ai kërkoi sqarime se si do të veprojë prokuroria për mbledhjen e provave nëse kufizohen kontrollet personale apo kontrollet në banesën e Guvernatorit.
“Po në rastet kur kontrolli i banesës dhe kontrolli personal, kufizojmë hetimin? Si do t’i gjejë provat prokurori?”, pyeti Manja.
Debati nxori në pah përplasjet mbi kufijtë e mbrojtjes ligjore të Guvernatorit, mes argumentit për garantimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe shqetësimit se një dispozitë e tillë mund të krijojë pengesa për hetimet e drejtësisë.



