Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një vendim i Gjykatës së Apelit të Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar urdhrin që detyronte administratën amerikane të rihapte regjistrimet për Lotarinë Amerikane të Green Card për vitin 2027.
Sipas “Newsweek”, një trupë gjyqtarësh pranoi kërkesën urgjente të qeverisë amerikane për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar Departamentin e Shtetit të hapte aplikimet për programin përpara 1 nëntorit.
Vendimi i ri i jep administratës së Donald Trump mundësinë të mbajë të pezulluar procesin e aplikimeve, ndërsa vijon shqyrtimi i ankimit në gjykatë.
Në arsyetimin e saj, gjykata vlerësoi se pala që kishte ngritur padinë nuk kishte argumentuar mjaftueshëm të drejtën ligjore për të kundërshtuar pezullimin e programit.
Megjithatë, çështja nuk është zgjidhur përfundimisht dhe vendimi nuk përbën anulim të përhershëm të Lotarisë Amerikane. E ardhmja e programit dhe mundësia e hapjes së aplikimeve për vitin 2027 mbeten ende të paqarta.
Programi i Vizave të Diversitetit parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave në vit për qytetarët e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.
Për momentin, nuk është njoftuar një datë e re për hapjen e regjistrimeve për DV-2027, ndërsa aplikantët duhet të presin zhvillimet e mëtejshme ligjore dhe njoftimet zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.



