Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në Tiranë për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme, në ditën e 19-të të revoltës studentore.
Në mbështetje të studentëve është edhe Partia Demokratike, e cila zhvillon tubimin e dytë kombëtar që prej nisjes së protestave në kryeqytet.
Për këtë protestë, policia ka marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa efektivët janë pozicionuar kryesisht në pjesën e pasme të godinës. Në gatishmëri janë edhe autobotët me ujë me presion dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me mjete speciale.
Në operacion janë përfshirë forcat “Shqiponja”, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e situatës.
Protestuesit do të mbikëqyren gjithashtu përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë dhe dronëve, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore.
Tubimi zhvillohet në kushtet e aktit të ri normativ për protestat, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit dhe parashikon sanksione administrative për shkelësit. Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes, përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimin e fytyrës.



