Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gazetarja Kostana Morava, e cila ka denoncuar kërcënime dhe sulme pas qëndrimeve të saj publike për protestat e fundit në Tiranë, thotë se nuk do të heshtë dhe as të tërhiqet përballë presionit.
Në një intervistë për E Vërteta.al, Morava argumenton kritikat e saj ndaj mënyrës se si u zhvilluan protestat, duke theksuar se shqetësimi i saj nuk lidhet me të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por me normalizimin e dhunës, intolerancën dhe mungesën e qartësisë mbi synimet e organizatorëve.
Me 20 vite përvojë në media, Morava ngre gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protesta, përgjegjësinë e të rriturve për sigurinë e tyre dhe standardet që duhet të zbatohen për dhunën, pavarësisht nëse ajo vjen nga protestuesit apo nga policia.
Ajo tregon se më 30 tetor ka depozituar kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për kërcënimet që thotë se ka marrë, përfshirë kërcënime për jetën.
Në këtë intervistë, Kostana Morava shpjegon pse kërkon transparencë dhe debat mbi protestën, kundërshton përpjekjet për të delegjitimuar mendimin ndryshe dhe u përgjigjet atyre që e kanë sulmuar për qëndrimet e saj. “Nuk kam ndërmend të kërkoj leje për të menduar”, shprehet ajo, duke theksuar se do të vazhdojë të flasë dhe të argumentojë bindjet e saj.
Intervista:
E Vërteta.al: Çfarë ju shqetësoi më shumë nga protestat e fundit në Tiranë?
Morava: Ajo që më shqetësoi më shumë nuk ishte fakti që njerëzit dolën në protestë. Protesta është një e drejtë demokratike dhe një mekanizëm legjitim për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes. Ajo që më shqetësoi ishte transformimi i protestës nga një formë e shprehjes qytetare në një klimë agresiviteti, intolerance dhe justifikimi të dhunës.
Më shqetëson kur dhuna fillon të relativizohet, kur sulmi ndaj institucioneve paraqitet si akt heroizmi dhe kur qytetari që nuk mendon njësoj me organizatorët apo pjesëmarrësit trajtohet si kundërshtar që duhet sulmuar.
Një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke zëvendësuar një formë arbitrariteti me një tjetër. Nuk mund të kërkosh shtet të së drejtës duke normalizuar shkeljen e ligjit.
E Vërteta.al: Ju kritikuat përfshirjen e të miturve në protestë. Kush mban përgjegjësi për këtë?
Morava: Përgjegjësia është e të rriturve. Prindërit, organizatorët dhe të gjithë ata që kanë ndikim mbi këta të mitur duhet të kuptojnë se fëmijët nuk mund të përdoren si instrument për të rritur forcën emocionale apo politike të një proteste.
Një i mitur nuk ka të njëjtin kapacitet gjykimi, pjekuri dhe përgjegjësi si një i rritur. Për këtë arsye, të rriturit kanë detyrimin moral dhe ligjor t’i mbrojnë, jo t’i ekspozojnë ndaj situatave të dhunshme.
Nuk po diskutojmë të drejtën e të rinjve për të pasur mendim apo për t’u angazhuar në jetën shoqërore. Po diskutojmë përgjegjësinë e të rriturve për të mos i vendosur ata në rrezik. Fëmijët nuk duhet të bëhen pjesë e kalkulimeve politike të askujt.
E Vërteta.al: Ju keni ngritur pikëpyetje për synimet e protestës. Çfarë ju bën të dyshoni për qëllimet e organizatorëve?
Morava: Pikëpyetjet e mia lidhen me mungesën e qartësisë politike dhe institucionale të kësaj lëvizjeje. Një protestë që kërkon ndryshim duhet të jetë në gjendje të shpjegojë se çfarë kërkon konkretisht, cilat janë objektivat e saj dhe çfarë rruge propozon për t’i arritur.
Nuk mjafton të thuash se kërkon largimin e dikujt. Duhet të shpjegosh çfarë vjen më pas, kush do ta marrë përgjegjësinë, mbi çfarë programi dhe me çfarë legjitimiteti.
Më shqetëson veçanërisht kur në vend të debatit mbi alternativat politike krijohet një klimë ku kushdo që nuk mbështet protestën shpallet automatikisht kundërshtar, i shitur apo armik.
Nuk kam pretenduar se i di motivet e çdo organizatori apo pjesëmarrësi. Por kam të drejtën dhe detyrimin qytetar e profesional të ngre pikëpyetje për mënyrën se si organizohet një lëvizje, për mesazhet që përcjell dhe për pasojat që mund të prodhojë.
Demokracia nuk është vetëm e drejta për të protestuar. Është edhe e drejta për të pyetur, për të dyshuar dhe për të mos u bindur.
E Vërteta.al: as deklaratave tuaja, keni denoncuar sulme dhe kërcënime. Sa serioze kanë qenë ato?
Morava: Situata ka qenë serioze dhe nuk bëhet fjalë thjesht për komente negative apo mospajtime në rrjetet sociale.
Prej disa javësh jam përballur me sulme të organizuara në hapësirën publike, fyerje, përpjekje për denigrim të figurës sime personale dhe profesionale, si dhe kërcënime, përfshirë kërcënime për jetën.
Më 30 tetor iu drejtova zyrtarisht Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku depozitova kallëzim penal për personat dhe profilet që kam identifikuar. Për arsye hetimore nuk mund të bëj publike emrat.
Për mua, çështja shkon përtej individit Kostana Morava. Nëse një gazetare me një eksperiencë 20-vjeçare në media mund të përballet me këtë lloj presioni për shkak të një qëndrimi publik, atëherë duhet të pyesim çfarë ndodh me qytetarin e zakonshëm që nuk ka as zë publik dhe as mundësi të mbrohet.
Nuk kërkoj privilegj për shkak të profesionit tim. Kërkoj zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave që i takojnë çdo qytetari.
E Vërteta.al: A mendoni se dhuna e protestuesve po merr më shumë vëmendje se dhuna e mundshme e policisë?
Morava: Nuk mendoj se dhuna duhet të trajtohet në mënyrë selektive. Çdo akt dhune duhet të hetohet, pavarësisht nëse kryhet nga një protestues apo nga një punonjës policie.
Policia ka një përgjegjësi të veçantë, sepse përfaqëson shtetin dhe ushtron autoritetin e tij. Përdorimi i forcës duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i domosdoshëm. Çdo tejkalim kompetencash duhet të hetohet dhe të marrë përgjigjen përkatëse ligjore.
Por kjo nuk do të thotë që dhuna e protestuesve duhet të relativizohet apo të justifikohet si reagim politik.
Nuk mund të kemi dy standarde: një për qytetarin që ushtron dhunë dhe një tjetër për policin që shkel ligjin. As uniforma nuk të vendos mbi ligjin, as zemërimi politik nuk të jep imunitet nga përgjegjësia.
Unë kërkoj që të dyja palët të trajtohen me të njëjtin standard ligjor dhe që institucionet të hetojnë çdo rast konkret, mbi bazën e provave dhe jo të bindjeve politike.
E Vërteta.al: A po bëhet Shqipëria një vend ku mendimi ndryshe ndëshkohet me sulme në rrjetet sociale?
Morava: Mendoj se kemi një problem serioz me kulturën e debatit publik dhe me tolerancën ndaj mendimit ndryshe. Rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë si hapësira për ndëshkim publik, intimidim dhe delegjitimim të individëve që nuk ndajnë të njëjtin qëndrim.
Është veçanërisht shqetësuese kur një grup njerëzish merr përsipër të vendosë se kush ka të drejtë të flasë, kush duhet të heshtë dhe kush duhet të përjashtohet nga hapësira publike.
Kjo është një logjikë që bie ndesh me vetë thelbin e demokracisë.
Liria e shprehjes nuk mund të jetë një e drejtë që e gëzojnë vetëm ata që mendojnë si shumica apo si një grup politik i caktuar. Ajo vlen pikërisht për mendimet që nuk na pëlqejnë, që na kundërshtojnë dhe që na vendosin përballë pyetjeve të pakëndshme.
Nëse fillojmë të kemi frikë të shprehim mendimin tonë nga frika e linçimit, atëherë kemi një problem shumë më të madh se një konflikt në rrjetet sociale. Kemi një problem me vetë lirinë në shoqëri.
E Vërteta.al: Çfarë do t’u thoshit atyre që ju sulmojnë për mendimin që keni shprehur?
Morava: Do t’u thosha se nuk kam ndërmend të kërkoj leje për të menduar dhe as të kërkoj falje për mendimet që shpreh, për sa kohë i mbështes ato në bindjen dhe argumentin tim.
Kam 20 vjet në media dhe kam mësuar se profesioni i gazetarit nuk është të jetë i pëlqyeshëm për të gjithë, por të ketë integritetin të shprehë atë që mendon dhe të mbajë përgjegjësi për fjalën e tij.
Mund të më kundërshtojnë, të më kritikojnë, të më rrëzojnë argumentet dhe të më provojnë se jam gabim. Kjo është pjesë e debatit demokratik. Por nuk mund të pranoj që kundërshtimi të kthehet në kërcënim, intimidim apo sulm ndaj dinjitetit tim.
Nuk kam ndërmend të hyj në garën e tyre se kush është më i ligu dhe më kërcënuesu. Nuk do të përgjigjem me të njëjtën gjuhë dhe nuk do të lejoj që standardet e mia të përcaktohen nga sjellja e tyre.
Në fund të fundit, një shoqëri nuk matet nga sa njerëz arrin të heshtë, por nga sa hapësirë u krijon atyre që mendojnë ndryshe.
Unë do të vazhdoj të flas.
Etleva Skonja



