KreuAktualitetPolitika“Hiq Colin, sill Lolin”/ Rama sqaron reformën dhe paralajmëron përgjegjësi për drejtuesit

“Hiq Colin, sill Lolin”/ Rama sqaron reformën dhe paralajmëron përgjegjësi për drejtuesit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar reformën e re të administratës publike, të pagëzuar “Shkalla e Meritës”, e cila synon të ndryshojë mënyrën e rekrutimit, vlerësimit dhe përparimit në karrierë të punonjësve të administratës shtetërore.

Gjatë prezantimit, Rama bëri të ditur se reforma do të mbështetet në tre shtylla kryesore: hyrjen në administratë përmes një testimi kombëtar, avancimin në karrierë mbi bazën e meritës dhe rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve të institucioneve.

Sipas kryeministrit, testimi kombëtar do të zhvillohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila po përshtat modelin e provimeve të Kembrixhit. Kandidatët që do ta kalojnë me sukses testin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vite, e cila do t’u mundësojë të vijojnë konkurrimin për pozicione në administratën publike.

Rama u ndal edhe te problematika e përparimit në karrierë, duke pranuar se punonjës të administratës mund të kenë vite përvojë dhe përkushtim, por të mos avancojnë për shkak të vlerësimit të drejtuesve të tyre.

“Një nëpunës mund të punojë me përkushtim për vite me radhë dhe përsëri të mos ketë fatin të rritet në karrierë, sepse mund të ketë një drejtues që nuk ia çmon vlerën. Dhe kjo është e padrejtë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, me reformën e re vlerësimi dhe promovimi i punonjësve nuk do të mbetet në dorën e një drejtuesi të vetëm, por do të bëhet përmes një sistemi që synon të njohë dhe shpërblejë meritën.

Një tjetër element i reformës është përgjegjshmëria e drejtuesve të institucioneve. Në këtë pikë, kryeministri iu referua procesit të vlerësimit të qindra drejtuesve, të zhvilluar dhjetë ditë më parë, duke theksuar se qëllimi nuk është thjesht largimi apo zëvendësimi i emrave, por evidentimi i problematikave dhe rezultateve të dobëta në punë.

“Ku ka çaluar puna dhe ku ka prodhuar më keq rezultate për shtetin. Aty ku problemet përsëriten duhet të ketë pasoja”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se masat ndaj drejtuesve duhet të merren pa cenuar kapacitetet e administratës dhe procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Reforma “Shkalla e Meritës” pritet të vendosë një mekanizëm të ri për rekrutimin dhe karrierën në administratën publike, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zbatohet në praktikë dhe çfarë garancish do të ketë për një konkurrim dhe vlerësim realisht të barabartë të punonjësve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat