Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente në qytetin e Sarandës, mes tyre në banesën dhe zyrën e nënkryetarit të Bashkisë, Elton Dauti.
Kontrollet janë shtrirë edhe në ambientet e kompanisë “Eco Taxi”, në pronësi të ortakëve Kostandin Papa dhe Elton Dauti.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme lidhur me arsyet e kontrolleve dhe procedimin penal në kuadër të të cilit janë zhvilluar veprimet hetimore.
Paraprakisht, dyshimet lidhen me lejen e dhënë nga ish-ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, për operimin e trenave turistikë në destinacionin e Syrit të Kaltër.
BKH po verifikon procedurat që kanë paraprirë dhënien e autorizimit, dokumentacionin e paraqitur dhe kushtet në të cilat është lejuar ushtrimi i aktivitetit në këtë zonë turistike.
Në kuadër të hetimeve, dyshohet se po shqyrtohen edhe elementë të mundshëm favorizimi të një operatori të caktuar, si dhe përfitime të tërthorta për persona të lidhur me zyrtarët që janë bërë subjekt i kontrolleve.
Debati për trenat turistikë në Syrin e Kaltër
Çështja e trenave turistikë në Syrin e Kaltër është bërë objekt debati publik që në vitin 2024.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ngriti atëherë pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë që ofron shërbimin, duke kërkuar shpjegime nga ministrja e atëhershme e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Zhupa vuri në diskutim edhe lidhjet e mundshme të nënkryetarit të Bashkisë Sarandë, Elton Dauti, me aktivitetin, si dhe pretendoi se bashkëshortja e tij mund të kishte interesa në biznesin që operonte trenin turistik.
Deputetja kërkoi transparencë mbi procedurën e përzgjedhjes së operatorit dhe mënyrën se si ishte dhënë leja për zhvillimin e aktivitetit në një nga zonat më të vizituara turistike të vendit.



