Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Për organizimin e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027 janë parashikuar 2.5 miliardë lekë, të cilat do të mbulojnë shpenzimet e procesit zgjedhor. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se fondi është dakordësuar me Ministrinë e Financave dhe se institucioni nuk pret vështirësi në përballimin e kostove.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, Celibashi bëri të ditur se fondi prej 2.5 miliardë lekësh është parashikuar si kontingjencë e veçantë për zgjedhjet dhe nuk përfshihet në buxhetin e zakonshëm të KQZ-së.
Ndërkohë, për funksionimin e institucionit gjatë vitit të ardhshëm janë parashikuar 454.25 milionë lekë. Sipas Celibashit, fondet për procesin zgjedhor do të vihen në dispozicion pas miratimit të buxhetit dhe nisjes së vitit 2027.
Një nga çështjet e ngritura gjatë diskutimit ishte edhe mundësia e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme vendore. Celibashi tha se KQZ ka kapacitete për ta zbatuar këtë teknologji në maksimumi rreth 450 qendra votimi, ndërsa shtrirja në më shumë zona kërkon fillimisht dakordësi politike.
Sipas kreut të KQZ-së, Partia Demokratike nuk ka qenë dakord me zgjerimin e votimit elektronik përtej zonave ku është aplikuar deri më tani. Për këtë arsye, institucioni nuk synon të angazhojë fonde shtesë nga buxheti i shtetit pa një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës.
Celibashi theksoi se KQZ nuk ka një detyrim ligjor për ta zgjeruar këtë mënyrë votimi në mungesë të konsensusit politik, duke ia lënë vendimmarrjen palëve politike.
Megjithatë, ai paralajmëroi se koha në dispozicion po ngushtohet dhe se vonesat në arritjen e një marrëveshjeje mund ta bëjnë teknikisht të pamundur realizimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e 9 majit 2027, edhe nëse palët bien dakord më vonë.



