Etleva Skonja
Shkolla e Magjistraturës është institucioni që përgatit gjyqtarët dhe prokurorët e rinj në vend, por gjithnjë e më shpesh po shtrohet pyetja mbi cilësinë e brezit të magjistrateve të fundit.
Vendimet e disa gjyqtarëve të sapodiplomuar kanë nxitur debat dhe shqetësim, pasi kanë prodhuar pasoja të rënda për sigurinë e qytetarëve.
Një nga rastet është ai i gjyqtarit Albert Keraj, i diplomuar në vitin 2022 në profilin penal. Pas përfundimit të programit në Shkollën e Magjistraturës, ai u emërua në Gjykatën e Shkodrës, e më pas u transferua përkohësisht edhe në Gjykatën e Elbasanit.
Vendimi i tij më i diskutueshëm lidhet me çështjen e Ragip Gilës. Ky i fundit ishte arrestuar dhe akuzohej për dhunë dhe kërcënime të përsëritura, por gjyqtari Keraj vendosi ta linte me shërbim prove, duke i dhënë mundësinë të qëndronte i lirë. Pavarësisht të kaluarës problematike dhe rrezikut që paraqiste, vendimi i gjykatës e nxori Gilën nga burgu.
Pas kësaj, tragjedia nuk vonoi. I lirë nga vendimi i marrë, Ragip Gila u bë autor i një krimi të dyfishtë, duke vrarë dy persona. Një vendim i butë gjyqësor, i marrë nën arsyetimin e “shërbimit prove”, u shndërrua në një rast fatal, ku mungesa e ashpërsisë së ligjit i kushtoi jetën dy qytetarëve.
Ky rast tregon qartë se Magjistratura po nxjerr gjyqtarë të papërgatitur dhe të dobët, të cilët nuk arrijnë të mbajnë peshën e përgjegjësisë së madhe që ka sistemi gjyqësor. Një vendim i marrë nga një gjyqtar i ri jo vetëm minoi besimin te drejtësia, por çoi drejt një tragjedie që mund të ishte shmangur nëse ligji do të ishte zbatuar me rreptësi.
Sot, pyetja që ngrihet me forcë është se sa të sigurt janë qytetarët në duart e një brezi gjyqtarësh të dalë nga Magjistratura, kur vendime të tilla hapin derën e krimeve të reja?



