Me votat e mazhorancës është rrëzuar në Kuvend kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e abuzimeve të pretenduara me tenderët e AKSHI-t.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se interpelancat nuk mund të përdoren për çështje që janë nën hetim penal, pasi kjo do të përbënte ndërhyrje në pushtetin e drejtësisë dhe do të binte ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.
Sipas përgjigjes zyrtare të Kuvendit drejtuar Partisë Demokratike, kërkesa për interpelancë synonte të transferonte në sallën e Kuvendit një debat që i përket ekskluzivisht organeve të drejtësisë, duke krijuar një “gjykatë politike” mbi çështje ende të paadministruara përfundimisht nga autoritetet gjyqësore.
Në argumentimin e lexuar në Kuvend thuhej gjithashtu se kryeministri nuk ka detyrimin ligjor të ketë dijeni mbi përmbajtjen e dosjeve hetimore dhe nuk mund të kërkohet prej tij të komentojë çështje që janë nën juridiksionin e drejtësisë.
Po ashtu, Kuvendi vlerësoi se referimet në raportime mediatike nuk mund të shërbejnë si bazë për kontroll parlamentar në raste që janë ende në proces hetimi.
“Vetë natyra e çështjes së ngritur, e lidhur me hetime për vepra të rënda penale, përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar, kërkon trajtim në kuadër të procedurave penale dhe jo debat politik paralel”, thuhej në përgjigje.
Pasi kryetari i Kuvendit refuzoi zhvillimin e interpelancës, çështja kaloi për votim në seancë plenare, ku kërkesa e opozitës u rrëzua me 60 vota kundër nga deputetët e mazhorancës.



