Drafti i qeverisë për riorganizimin administrativo-territorial ka nisur të përballet me kundërshtime nga pushteti vendor, ndërsa disa këshilla bashkiakë kanë shprehur hapur rezervat ndaj propozimeve për shkrirjen e bashkive.
Këshilli Bashkiak i Këlcyrës ka votuar unanimisht kundër projektit që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me atë të Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët e këshillit u shprehën kundër draftit të propozuar nga qeveria.
Vendimi vjen pas reagimeve të banorëve të zonës, të cilët kanë organizuar protesta dhe kanë kërkuar që Këlcyra të ruajë statusin e saj si bashki e pavarur. Këshilltarët vendorë, pavarësisht përkatësisë politike, i bënë gjithashtu thirrje Këshillit Bashkiak të Përmetit të mos miratojë bashkimin e dy njësive vendore.
Debatet kanë nisur edhe në Bashkinë Klos, e cila sipas draftit të qeverisë pritet të bashkohet me Bashkinë Mat. Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se çdo vendimmarrje do të paraprihet nga dëgjesa publike me banorët në të gjitha njësitë administrative.
Ajo theksoi se qëndrimi i saj do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. “Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, edhe unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.
Riorganizimi territorial pritet të shoqërohet me diskutime dhe kundërshtime edhe në bashki të tjera të vendit, ndërsa komunitetet lokale dhe përfaqësuesit vendorë po shprehin rezervat e tyre ndaj hartës së re të propozuar nga qeveria.



