Komisioni Europian ka ndërhyrë për të adresuar problematikat e shfaqura gjatë zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES) në kufijtë e zonës Zona Schengen, duke angazhuar edhe Frontex për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura për vështirësi praktike gjatë implementimit të sistemit të ri, të cilat janë pranuar edhe nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Sistemi EES është krijuar për të modernizuar kontrollet kufitare dhe për të regjistruar të dhënat biometrike të shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Europian që hyjnë dhe dalin nga hapësira Schengen. Platforma synon të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta dhe të krijojë një sistem më të sigurt për menaxhimin e lëvizjeve ndërkufitare.
Komisioneri europian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, u ka dërguar një letër operatorëve aeroportualë, ndërsa Komisioni Europian ka njoftuar se do të zhvillojë takime teknike me përfaqësues të sektorit për të analizuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje konkrete.
“Po shqyrtojmë me kujdes funksionimin praktik të sistemit të ri dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur për të kufizuar ndikimin e tij te udhëtarët nga vendet jashtë BE-së”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Europian.
Sipas tij, Brunner ka intensifikuar komunikimin me ministrat e brendshëm të vendeve anëtare për të përcaktuar nevojat dhe mbështetjen e nevojshme për një funksionim më efikas të sistemit.
Ndërkohë, Frontex pritet të angazhojë staf shtesë në aeroportet më të frekuentuara të zonës Schengen dhe të kontribuojë në zbatimin e aplikacionit të ri të para-regjistrimit, i cili do t’u mundësojë vendeve anëtare të përgatiten më mirë për kontrollet e reja kufitare.
Zbatimi i EES është pjesë e strategjisë së Bashkimit Europian për forcimin e sigurisë kufitare dhe dixhitalizimin e kontrolleve të udhëtarëve. Megjithatë, faza e parë e aplikimit të tij ka sjellë shqetësime për vonesa në pikat kufitare, radhë të gjata dhe vështirësi teknike në disa pika kalimi.
Komisioni Europian deklaron se po punon me autoritetet kombëtare dhe operatorët e transportit për të minimizuar ndikimin te udhëtarët dhe për të siguruar një kalim sa më të qetë drejt funksionimit të plotë të sistemit të ri.



