back to top
23.4 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaFinancat hartojnë ligjin e ri fiskal/ Kompanitë e mëdha do të paguajnë...

Financat hartojnë ligjin e ri fiskal/ Kompanitë e mëdha do të paguajnë të pakta 15% tatim

Ministria e Financave e Shqipërisë ka hartuar projektligjin për vendosjen e një niveli minimal global të tatimit për grupet e shoqërive shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase, duke synuar përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimi Evropian dhe ato të OECD/G20.

Në qendër të nismës është vendosja e një norme minimale efektive tatimi prej 15% për grupet shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase që kanë të ardhura të konsoliduara vjetore prej të paktën 750 milionë eurosh.

Sipas projektligjit, qëllimi kryesor është shmangia e zhvendosjes artificiale të fitimeve drejt juridiksioneve me norma më të ulëta tatimore ose pa tatim, duke garantuar që fitimet të tatohen në vendet ku zhvillohet aktiviteti ekonomik.

Projektligji parashikon tre mekanizma kryesorë për zbatimin e këtij regjimi të ri fiskal: Rregullin e Përfshirjes së të Ardhurave, Rregullin për Fitimet e Nëntatuara dhe Tatimin Shtesë Minimal të Brendshëm të Kualifikuar.

Ky i fundit i jep Shqipërisë të drejtën që të mbledhë vetë tatimin shtesë mbi fitimet e realizuara nga kompanitë që operojnë në territorin shqiptar, përpara se kjo e drejtë t’u kalojë administratave tatimore të vendeve të tjera.

Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, nisma synon të mbrojë bazën tatimore kombëtare, të rrisë transparencën fiskale dhe të krijojë kushte më të barabarta konkurrence mes kompanive të mëdha ndërkombëtare dhe bizneseve të tjera që operojnë në vend.

Subjektet që do të përfshihen në këtë regjim do të kenë detyrime të reja sa i takon raportimit dhe deklarimit të të dhënave financiare, ndërsa administrata tatimore do të ketë rol kyç në zbatimin e rregullave të reja dhe në shkëmbimin e informacionit me administratat homologe të vendeve të tjera.

Nga pikëpamja buxhetore, projektligji pritet të sjellë ndikim pozitiv në të ardhurat publike, pasi i jep Shqipërisë mundësinë për të arkëtuar tatim shtesë në rastet kur fitimet e grupeve të mëdha tatohen nën kufirin minimal prej 15%.

Nisma lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht me Kapitulli 16 i negociatave të BE-së, i cili përfshin harmonizimin e politikave fiskale dhe legjislacionit tatimor me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatimi i plotë i tij do të nisë më 1 janar të vitit fiskal që fillon në ose pas datës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat