Sipas vendimit të marrë, çmimi i naftës është rritur me 5 lekë për litër, duke u vendosur në 202 lekë nga 197 lekë që ishte më parë. Po ashtu, benzina është rritur me 4 lekë për litër dhe do të tregtohet me 176 lekë, nga 172 lekë që ishte aktualisht. Ndërkohë, çmimi i gazit nuk ka pësuar ndryshime.
Bordi bën me dije se vendimi hyn në fuqi nga ora 12:30 e ditës së sotme dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e radhës, ku pritet të rishikohen sërish çmimet në varësi të tregut ndërkombëtar.
Në njoftim theksohet gjithashtu se operatorët e tregut të karburanteve janë të detyruar të zbatojnë vendimin, ndërsa në rast shkeljesh do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.
Institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë deklaruar se janë të angazhuara për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në tregun e karburanteve.
Në sqarim të vendimit, Bordi i Transparencës referon edhe aktin normativ për akcizat, ku përcaktohen nivelet e taksimit në varësi të çmimeve të tregut, duke theksuar se aktualisht çmimet janë nën kufijtë që do të aktivizonin reduktimin e akcizës.



