Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në KLP për vitin 2025, deklaroi se deri më tani nuk ka presione konkrete nga retorika politike që cenojnë punën e institucionit.
Ai theksoi se deklaratat politike, në vetvete, nuk përbëjnë kërcënim, për sa kohë nuk shoqërohen me nisma konkrete ligjore që prekin kompetencat e SPAK.
“Retorika në vetvete nuk përbën kërcënim. Për ta kuptuar kur bëhet shqetësuese, është kur shoqërohet me situatë ligjore që mund të prekë kompetencat e institucionit. Për momentin mendoj se nuk është problematike,” u shpreh Braho.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse do të ketë tentativa për ndërhyrje përmes draftesh apo projekteve ligjore, institucioni që ai drejton do të reagojë publikisht.
“Nëse do kemi ndonjë situatë të tillë, drafte apo projekte ligjore, ne do ngremë zërin, do ta bëjmë publik. Këtë mendim dhe shqetësim do ia përcjellim edhe KLP,” shtoi ai.
Gjatë raportimit, Braho u ndal edhe te çështjet e sekuestrimit dhe administrimit të aseteve, duke bërë të ditur se janë konfiskuar rreth 12.4 milionë euro në kriptomonedha.
Ai evidentoi se mbetet problem administrimi i tyre për shkak të natyrës së paqëndrueshme të vlerës.
“Kemi problematikë për administrimin e kriptomonedhave të konfiskuara. Po punohet për miratimin e kuadrit ligjor për administrimin e tyre. Shpresojmë që së shpejti kjo të rregullohet, që të mund të administrohen portofolet e kriptovalutave, sepse lidhet edhe me vënien e tyre në punë. Janë shifra që mund të kenë ndryshime drastike në një kohë shumë të shkurtër,” u shpreh Klodian Braho.
Deklaratat u bënë në kuadër të prezantimit të punës së SPAK për vitin 2025, ku u trajtuan edhe sfidat kryesore të institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.



