Kryeprokurori i Posaçëm, Klodian Braho, ka prezantuar paraditen e sotme raportin vjetor të SPAK për vitin 2025 në KLP.
Pas paraqitjes së raportit, Braho iu përgjigj pyetjeve mbi ngarkesën e lartë të punës në Prokurorinë e Posaçme dhe nevojën për ndryshime të mundshme në legjislacion.
I pyetur nga Vatë Staka nëse duhen ndërhyrje për të lehtësuar ngarkesën, Braho pranoi se situata është e rënduar dhe pritet të rëndohet më tej.
“Ngarkesa është e lartë, do vijë të rritet më tej. Numri i prokurorëve, 20 është i mjaftueshëm duke pasur sistemin e prokurorive në gjithë Shqipërinë. Duhet të gjejmë mënyrën më të duhur për të ngritur prova me çështjet që kemi në hetim dhe duhet të rrisim nivelin profesional të hetuesve të BKH që të lehtësohet puna e prokurorëve,” u shpreh ai.
Braho bëri të ditur se gjatë këtij viti pritet të ketë përforcim të strukturës hetimore.
“Këtë vit do nisim rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH dhe do jetë numër i lartë që do ndikojë në uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së hetimeve.”
Ai shtoi se ka përfunduar procesi i konkurrimit për 10 oficerë nga shërbimet e policisë gjyqësore dhe se pritet të hapen procedura të tjera për shtimin e këtij stafi.
Sa i përket ndryshimeve ligjore, kreu i SPAK theksoi se aktualisht nuk sheh nevojë për ndërhyrje të mëdha.
“Ndryshimeve ligjore, nuk shoh diçka që është gabim në këtë moment që duhet të ndryshohet që të ulet ngarkesa e punës, përveç diskutimeve që kemi bërë më parë për korrupsionin aktiv dhe pasiv.”
Megjithatë, ai vuri në dukje se duhet rishikuar pragu financiar për veprat e korrupsionit.
“Fasha prej 50 mijë lekësh duhet parë, por është proces që kërkon kohën e vet. Duhet të jetë më e lartë, kjo e rrit ngarkesën e çështjeve. E njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhen me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë,” përfundoi Klodian Braho.



