Patronazhimi u bë pjesë e debatit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, i kërkoi drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, të sqarojë nëse institucioni ka hetuar apo do të hetojë sistemin e patronazhimit, që sipas saj është përdorur nga Partia Socialiste për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Vokshi e cilësoi patronazhimin si një nga fenomenet më problematike të zgjedhjeve të viteve të fundit, duke pretenduar se janë abuzuar të dhënat personale të qytetarëve dhe se sistemi është përdorur për të kontrolluar votuesit.
“Vitet e fundit më rezulton se është fenomeni më negativ, para zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, fenomeni i patronazhimit. Në shkelje të Kushtetutës janë vjedhur, shpërdoruar dhe abuzuar të dhënat personale të çdo votuesi. Pyetja që kam është: a keni bërë ju ndonjë hetim kryesisht në lidhje me këtë fenomen? Çdo qytetar shqiptar është i survejuar. Janë trupa pranë çdo qendre votimi. Është krim elektoral. A keni bërë ndonjë hetim për këtë? A do të hetoni sistemin e patronazhimit? A do të hetoni AKSHI-n?”, u shpreh Vokshi.
Në përgjigje, Braho sqaroi se patronazhimi, si i tillë, nuk parashikohet si vepër penale në Kodin Penal dhe për rrjedhojë nuk është në kompetencën e SPAK.
“Në Kodin Penal nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka kompetencë për dy vepra penale që lidhen me zgjedhjet, korrupsionin aktiv dhe korrupsionin pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën ose një person ka nxjerrë të dhëna personale, ato janë vepra të tjera penale që nuk janë në kompetencën e SPAK, por të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, deklaroi Braho.
Përgjigjja e kreut të SPAK i dha fund pritshmërive të opozitës për një hetim të institucionit ndaj sistemit të patronazhimit, duke sqaruar se çdo rast i mundshëm që lidhet me shpërdorimin e detyrës apo rrjedhjen e të dhënave personale duhet të trajtohet nga prokuroritë e zakonshme dhe jo nga Prokuroria e Posaçme.



