Një vlerësim i fundit i strukturës së Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillit Këshillimor për Sigurinë Jashtë SHBA-së (OSAC), paraqet një panoramë të përzier për situatën në Shqipëri, duke evidentuar përparime në disa fusha, por edhe sfida të vazhdueshme që lidhen me korrupsionin, transparencën institucionale, zgjedhjet dhe funksionimin e drejtësisë.
Sipas raportit, Shqipëria ka shënuar përmirësime në disa aspekte të stabilitetit politik dhe sigurisë, ndërsa proceset zgjedhore të fundit janë zhvilluar në një klimë më të qetë krahasuar me periudhat e mëparshme. Megjithatë, OSAC nënvizon se vijojnë të ekzistojnë probleme që lidhen me financimin e fushatave elektorale, përdorimin e burimeve publike dhe polarizimin e fortë politik.
Zgjedhjet 2025, më të qeta por me problematika
Raporti i OSAC vlerëson se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zhvilluan përgjithësisht në një atmosferë të qetë, ndryshe nga disa procese të mëparshme zgjedhore që janë shoqëruar me akuza për ndikim të krimit të organizuar dhe korrupsion në procesin e votimit.
Megjithatë, raporti thekson se pati raportime për raste të izoluara parregullsish që përfshinin kandidatë dhe mbështetës politikë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, këto raste nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar të procesit zgjedhor.
Pavarësisht përmirësimeve të evidentuara, një mision ndërkombëtar vëzhgimi i përbërë nga OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Parlamenti Europian ka kërkuar një reformë të plotë të sistemit zgjedhor.
Ndër problematikat kryesore të evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë janë:
- përdorimi i burimeve publike nga partia në pushtet gjatë fushatës;
- retorika përçarëse mes partive kryesore politike;
- mungesa e transparencës në financimin e fushatave;
- mbulimi mediatik jo i barabartë për partitë më të vogla.
Shqipëria pritet të zhvillojë zgjedhjet vendore në vitin 2027 dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2029.
Protestat politike dhe tensionet në rrugë
Raporti i OSAC vëren se protestat dhe tubimet politike janë një pjesë e zakonshme e jetës publike në Shqipëri dhe se shumica e tyre zhvillohen në mënyrë paqësore.
Megjithatë, dokumenti kujton se në të kaluarën janë regjistruar edhe episode dhune gjatë protestave politike.
Një nga zonat kryesore ku zhvillohen protestat është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për shkak të pranisë së institucioneve kryesore shtetërore, diplomatike dhe kulturore.
Sipas raportit, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, grupet opozitare organizuan protesta kundër qeverisë në kryeqytet. Disa prej tyre sollën bllokimin e akseve kryesore rrugore, ndërsa në disa raste u përdorën mjete piroteknike dhe kokteje molotov.
OSAC përmend edhe protestat e fundit në Tiranë, të cilat fillimisht kishin karakter mjedisor, por më pas u zgjeruan duke përfshirë akuza për korrupsion qeveritar. Në disa raste, sipas raportit, protestat përfunduan me përplasje.
Strukturat e sigurisë nën kontroll civil
Raporti vlerëson se institucionet civile shqiptare ruajnë kontroll efektiv mbi strukturat e sigurisë.
Ministria e Brendshme mbikëqyr Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, ndërsa Forcat e Armatosura janë nën drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Megjithatë, OSAC evidenton disa probleme që vazhdojnë të ndikojnë në efikasitetin e institucioneve të zbatimit të ligjit, ndër të cilat përmenden:
- korrupsioni;
- mungesa e koordinimit ndërinstitucional;
- shkëmbimi i kufizuar i informacionit;
- një sistem drejtësie ende në proces zhvillimi.
SPAK, rol i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet rolit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas OSAC, SPAK po ndjek çështje komplekse që lidhen me korrupsionin në nivele të larta, krimin e organizuar dhe raste të tjera me rëndësi publike.
Raporti vlerëson gjithashtu bashkëpunimin e SPAK-ut me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se pavarësisht progresit, ende ekzistojnë raste ku individë me ndikim politik ose ekonomik arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.
Drejtësia dhe të drejtat e qytetarëve
Raporti kujton se Kushtetuta dhe ligjet shqiptare garantojnë mbrojtjen ndaj arrestimeve arbitrare dhe ndalimit pa bazë ligjore.
Qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë në gjykatë ligjshmërinë e arrestimit të tyre.
Megjithatë, OSAC evidenton raste ku persona janë mbajtur për periudha të gjata për t’u marrë në pyetje pa u arrestuar zyrtarisht, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave ligjore.
Shqetësimet e investitorëve të huaj
Në sektorin ekonomik, raporti evidenton se investitorët e huaj vijojnë të shohin disa pengesa kryesore në klimën e biznesit shqiptar.
Ndër shqetësimet më të përmendura janë:
- korrupsioni në administratën publike dhe sistemin gjyqësor;
- mungesa e transparencës në tenderët publikë;
- ekonomia informale;
- zbatimi jo i plotë i kontratave.
Sipas OSAC, krijimi i SPAK-ut ka sjellë një rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të dyshuar për abuzime, por reforma institucionale mbetet një proces që kërkon kohë dhe rezultate të qëndrueshme.
Korrupsioni në burgje, një tjetër shqetësim
Një tjetër çështje e ngritur në raport lidhet me sistemin penitenciar. OSAC përmend shqetësime për korrupsionin në burgje, veçanërisht sa i përket aksesit të të dënuarve në vende pune, programe rehabilitimi dhe lehtësime të ndryshme.
Në përfundim, raporti i DASH e përshkruan Shqipërinë si një vend që ka bërë hapa përpara në forcimin e institucioneve, sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit, por që ende përballet me sfida të rëndësishme për sa i përket transparencës, sundimit të ligjit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.



