Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur një sërë ndryshimesh në administratën e bashkisë, edhe pse prej afro një muaji ndodhet në paraburgim në Durrës.
Sipas A2, disa drejtues të njësive administrative në Tiranë janë larguar nga detyra, ndërsa të tjerë janë emëruar në poste të reja.
Deri tani, Bashkia e Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht disa prej ndryshimeve. Nga detyra janë larguar drejtuesi i Njësisë 5, Piro Jani, dhe ai i Njësisë 2, Florian Pullazi.
Ndërkohë, administratorja e Njësisë 1, Trendelina Jaku, është emëruar drejtore e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Në një tjetër lëvizje, administratori i Kasharit, Xhevahir Koçi, është emëruar në krye të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Ndryshimet kanë prekur edhe stafin e afërt të kryebashkiakut. Veliaj ka emëruar si këshilltare Julinda Dhamen, një prej bashkëpunëtoreve të tij të afërta gjatë dy mandateve në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Pavarësisht se Veliaj ndodhet në paraburgim, Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka bërë deri tani kërkesë për delegimin e kompetencave të kryetarit te një prej nënkryetarëve. Për rrjedhojë, vendimmarrja në Bashkinë e Tiranës vijon të kryhet përmes korrespondencës nga paraburgimi.
Veliaj ndodhet në një proces gjyqësor përpara Gjykatës së Posaçme dhe, sipas vendimeve të dhëna deri tani, kërkesat e tij për zbutjen e masës së sigurisë nuk janë pranuar nga gjykatat.



