Tashmë edhe zyrtarisht Manchester United ka marrë vendimin për ta shkarkuar trajnerin Erik Ten Hag.
Arsyeja pse ‘Djajtë e Kuq’ e morën këtë vendim janë rezultatet e dobëta të teknikut holandez këtë sezon ku momentalisht United mban pozitën e 14-të në kampionat me vetëm 11 pikë të fituara.
Aspak më mirë ata nuk e kanë situatën as në Ligën e Evropës aty ku së fundmi u ndalën me barazim 1-1 me Fenerbahcen në Turqi, teksa pas tri ndeshjeve të para kanë fituar vetëm tri pikë.
Lajmin për shkarkimin e Ten Hag e kanë bërë me dije dy gazetarët Fabrizio Romano dhe David Ornstein teksa tashmë u bë zyrtare edhe nga vet faqja zyrtare e klubit.
Romano tha se pas një diskutimi të brendshëm mes hierarkisë së klubit u mor vendimi për shkarkimin e Ten Hag teksa atë përkohësisht do ta zëvendësojë Ruud Van Nistelrooy që deri më tani ka qenë në rolin e asistentit.
54-vjeçari kishte marrë drejtimin e Unitedit në korrik të vitit 2022 pasi shkëlqeu tek Ajaxi, teksa për këto dy vite ai fitoi dy trofe.