Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) po përdor një mekanizëm të veçantë për zhvillimin e pronave publike, ku projektet nuk kalojnë përmes procedurave të zakonshme të prokurimit publik apo privatizimit, siç parashikon legjislacioni sektorial.
Në praktikë, Korporata Shqiptare e Investimeve administron pronat publike, organizon procedurat për zhvillimin e tyre, përzgjedh juritë dhe shpall fituesit, pa zbatuar procedurat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe pa ndjekur procesin e privatizimit sipas legjislacionit përkatës. Në këto procedura, vendimmarrja mbi projektet arkitekturore u besohet edhe jurive të përbëra nga arkitektë të huaj.
Rasti
Një nga rastet konkrete është projekti “Korpusi i Inspektorateve dhe Shtëpia e Re e Fëmijëve ‘Zyber Hallulli'”.
Pasuria publike iu transferua Korporatës Shqiptare të Investimeve me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 459, datë 31 korrik 2025.
Më 15 shtator 2025, KSHI publikoi në faqen e saj zyrtare njoftimin për procedurën konkurruese “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i objektit multifunksional në Rrugën e Elbasanit, Tiranë”.
Më 2 tetor 2025, Korporata njoftoi ndryshimin e dokumenteve të procedurës, duke shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve deri më 27 tetor 2025, ora 15:00.
Procedura nuk u zhvillua si një tender sipas Ligjit për Prokurimin Publik, por si një konkurs ndërkombëtar arkitekturor dhe zhvillimi, i organizuar nga vetë Korporata Shqiptare e Investimeve.
Më 29 janar 2026 u zhvillua konkursi për vlerësimin e projekt-ideve arkitekturore. Po në të njëjtën datë, KSHI publikoi edhe përbërjen e jurisë që do të vlerësonte projektet.
Në përbërje të saj ishin arkitektët ndërkombëtarë Reinier de Graaf, Emre Arolat, Wilfried Kuehn dhe Simona Malvezzi, si edhe Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e arkitektit.

Një ditë më vonë, më 30 janar 2026, Korporata publikoi njoftimin paraprak për fituesin e procedurës.
Dokumentacioni i procedurës tregon se juria vlerësoi projekt-propozimet arkitekturore, ndërsa KSHI administroi procedurën dhe shpalli rezultatin përfundimtar.
Analiza ligjore
Ligji nr. 71/2019 “Për Korporatën Shqiptare të Investimeve” i jep Korporatës të drejtën të përdorë procedura të posaçme për përzgjedhjen e partnerëve privatë, të ndryshme nga procedurat e parashikuara në Ligjin për Prokurimin Publik.
Megjithatë, neni 11 i këtij ligji përcakton organet drejtuese të Korporatës, Asamblenë e Përgjithshme, Këshillin Mbikëqyrës, Drejtorin Ekzekutiv dhe Bordin Këshillimor, ndërsa nuk parashikon një juri arkitekturore si organ vendimmarrës.

Në rastin e projektit “Zyber Hallulli”, dokumentacioni nuk sqaron mbi bazën e cilës dispozitë ligjore është ngritur kjo juri, çfarë statusi juridik ka dhe nëse vendimmarrja e saj është vetëm këshilluese apo detyruese për organet drejtuese të Korporatës.
Po ashtu, nuk sqarohet mbi bazën e cilit akt normativ arkitektë të huaj dhe persona jashtë strukturave të KSHI-së marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së projektit për zhvillimin e një prone publike.
Kjo procedurë nuk është zhvilluar sipas Ligjit për Prokurimin Publik dhe as sipas procedurave të zakonshme të privatizimit të pronës shtetërore, por mbi bazën e regjimit të posaçëm të krijuar nga ligji për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Pikërisht ky model ka ngritur debat mbi transparencën, konkurrencën dhe mënyrën se si merren vendimet për zhvillimin e aseteve publike./ E Vërteta.al



