Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të premteje indeksimin e të gjitha pensioneve të pleqërisë, pensioneve të veçanta dhe përfitimeve të tjera të skemës së sigurimeve shoqërore me 2.7%, duke nisur nga 1 korriku.
Vendimi u bë i ditur fillimisht nga ministrja Delina Ibrahimaj, e cila deklaroi se nga kjo masë do të përfitojnë rreth 900 mijë pensionistë në të gjithë vendin.
Sipas qeverisë, indeksimi synon të kompensojë pjesërisht rritjen e kostos së jetesës dhe ndikimin e inflacionit, i cili gjatë këtij viti është ndikuar edhe nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që kanë sjellë rritje të çmimeve të karburanteve dhe produkteve të tjera.
Me rritjen prej 2.7%, pensioni mesatar urban i pleqërisë, i cili në fund të vitit 2025 ishte 20,123 lekë, do të rritet me 543 lekë në muaj, duke arritur në 20,666 lekë.
Ndërkohë, pensioni mesatar në zonat rurale do të rritet nga 11,878 lekë në 12,199 lekë. Edhe pensionet e invaliditetit do të përfitojnë nga indeksimi, ku në zonat urbane rritja do të jetë 537 lekë, ndërsa në zonat rurale 279 lekë.
Ky është indeksimi i parë që nga viti 2022 që zbatohet sërish në muajin korrik. Në vitet e fundit, indeksimi i pensioneve ishte shtyrë për në muajin tetor, duke bërë që pensionistët të prisnin disa muaj më tepër për të përfituar rritjen.
Sipas qeverisë, masa synon të lehtësojë ndikimin e inflacionit mbi të ardhurat e pensionistëve, megjithëse rritja prej 2.7% mbetet më e ulët se kërkesat e organizatave të pensionistëve, të cilat prej kohësh kanë kërkuar rritje më të ndjeshme të pensioneve përballë kostos në rritje të jetesës.



