Përplasjet brenda Partisë Socialiste në Qarkun e Gjirokastrës duket se janë larg shuarjes, pavarësisht thirrjeve për unitet dhe paralajmërimeve të kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, pak javë më parë.
Përkundrazi, sinjalet e fundit tregojnë se rivalitetet mes figurave kryesore të socialistëve në qark vijojnë të mbeten të forta, madje duke u shfaqur publikisht edhe gjatë aktiviteteve festive të partisë.
Një episod i tillë u regjistrua gjatë festës së organizuar në Gjirokastër me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Në aktivitet morën pjesë socialistë nga Gjirokastra, Tepelena, Memaliaj, Përmeti, Këlcyra, Dropulli dhe Libohova, si dhe drejtues e përfaqësues lokalë të partisë.
Në qendër të vëmendjes u gjend deputeti socialist Tërmet Peçi, i cili me deklaratat e tij solli momente të sikletshme gjatë aktivitetit.
Teksa kishte marrë fjalën para të pranishmëve, Peçi ftoi në skenë këngëtarin Golik Jaupin, duke bërë një koment që u interpretua si shenjë e tensioneve të brendshme.
“Ju po të doni rrini, po të doni ikni”, u shpreh ai para të pranishmëve, një deklaratë që sipas pjesëmarrësve shkaktoi habi dhe reagime në sallë.
Momenti nuk kaloi pa u vënë re as nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme në aktivitet.
Por episodi që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ftesa që Peçi i bëri ish-kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, për t’u ngjitur në skenë.
“Ftoj këtu në skenë Flamurin, Bimen, jo atë tjetrin”, deklaroi Peçi, duke lënë të kuptohet se mesazhi ishte një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut aktual të Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Marrëdhëniet mes Peçit dhe Golemit prej kohësh përfliten si të tensionuara, ndërsa përplasjet mes grupimeve socialiste në Gjirokastër kanë qenë objekt diskutimi edhe brenda strukturave të PS-së. Rivaliteti mes figurave lokale është konsideruar si një nga sfidat kryesore të socialistëve në qark, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit.
Ngjarja e fundit duket se konfirmon se konfliktet e brendshme nuk janë lënë pas, pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve qendrorë për të imponuar disiplinë dhe bashkëpunim mes drejtuesve lokalë.
Festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, që synonin të përcillnin një mesazh uniteti dhe force politike, u shoqëruan kështu edhe me sinjale të qarta të rivaliteteve të pazgjidhura brenda kampit socialist në Gjirokastër.



