Para nisjes së vitit të ri shkollor 2026-2027, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë pranë institucioneve arsimore në të gjithë vendin. Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se kontrollet do të përqendrohen si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me synim parandalimin e përfshirjes së nxënësve në veprimtari kriminale.
Sipas Hitës, përgjegjësia kryesore për zbatimin e masave do të jetë e shefave të komisariateve, të cilët do të duhet të organizojnë dhe kontrollojnë shërbimet në terren.
Policia do të kryejë kontrolle të shtuara, veçanërisht në zonat pranë shkollave, me fokus parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe shitjes së sendeve të tjera të paligjshme tek të miturit.
Një tjetër pikë e rëndësishme është siguria rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme pranë shkollave gjatë orareve kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga mësimi, si dhe gjatë pushimit të gjatë, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe garantimin e lëvizjes së sigurt të fëmijëve.
Pjesë e masave do të jetë edhe ndërgjegjësimi i nxënësve. Strukturat e Policimit në Komunitet, Krimeve Kibernetike, Dhunës në Familje dhe Policisë Rrugore do të zhvillojnë takime në shkolla për bullizmin, dhunën psikologjike, rreziqet në internet, përdorimin e drogës, duhanit dhe alkoolit.
Kontrolle për ushqimet pranë shkollave
Për herë të parë, sipas kreut të Policisë së Shtetit, në paketën e masave të sigurisë do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë edhe me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
Kontrollet do të shtrihen në bizneset që ushtrojnë aktivitet pranë shkollave, ku do të verifikohet jo vetëm dokumentacioni i aktivitetit, por edhe siguria e produkteve që konsumojnë nxënësit.
Policia dhe AKU do të kontrollojnë përbërjen dhe afatet e skadencës së produkteve, si dhe kushtet higjieno-sanitare në të cilat ato ruhen dhe tregtohen.
Në garantimin e sigurisë në shkolla do të përfshihen edhe oficerët e sigurisë, mësuesit dhe psikologët, të cilët konsiderohen si një pikë e rëndësishme kontakti për evidentimin në kohë të problematikave që mund të shfaqen mes nxënësve.
Ndërkohë, në kuadër të projektit “Smart City”, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente. Sipas Policisë, këto pajisje do të ndihmojnë në monitorimin e zonave përreth shkollave dhe në reagimin më të shpejtë në rast të situatave që mund të cenojnë sigurinë.
Hita theksoi se qëllimi është që masat e planifikuara të mos mbeten vetëm në dokumente, por të zbatohen konkretisht në terren, për të garantuar një nisje sa më të sigurt të vitit të ri shkollor.



