Nga Kleves Bitro
Nuk e di nëse Doktorin e këshillon kush dhe çfarë i thotë, por do të ishte më mirë që në këtë periudhë të mos sqarojë asgjë më shumë se reagimi i parë për protestën që po shkund Shqipërinë. Mendimin tim e kam shprehur për protestën dhe arsyet se përse nuk shkoj aty i kam shtjelluar në disa postime. U qëndroj të njëjtave mendime si në fillim.
Duke u kthyer te “sqarimi” i Doktorit për një qëndrim të tij të mëhershëm, ku mbështeti investimin sipas ligjit në Zvërnec, mendoj se ka qenë i panevojshëm, sepse pavarësisht se protesta po mbështetet nga strukturat dhe anëtarësia e PD-së, ka disa pika që jo vetëm nuk u sqaruan, por kritikat për qëndrimin e PD-së do të vazhdojnë, pavarësisht zig-zageve të perceptuara nga protestuesit si të barazvlefshme me pasigurinë dhe mungesën e sinqeritetit nga ana e PD-së për mbështetjen e protestës.
Doktori sqaroi diçka, tha që mbështet pa ekuivok dhe fuqishëm protestën, por ajo që del është se PD nuk është në gjendje të jetë tërësisht mbështetëse e asaj proteste. Pse?
Sqarimi i Doktorit nuk dha përgjigje shteruese se protestuesit kërkojnë anulimin e lejes zhvillimore dhe kërkesës, bashkë me projektin e investimit konkret ku përfshihet familja e Presidentit Trump. Në asnjë rresht të sqarimit nuk thuhet se PD do të kërkojë anulimin e projektit konkret që përfshin Ivankën dhe Kushnerin në Zvërnec.
Përkundrazi, sqarimi çimenton mbështetjen e investimit të huaj duke kërkuar vetëm modifikimin e tij sipas ligjeve të vendit dhe atyre të BE-së për këto lloj investimesh. Ndërkohë që protestuesit kërkojnë ekzaktësisht anulimin e plotë të investimit konkret në Zvërnec.
Dihet tashmë se titujt e pronësisë në Zvërnec janë të kontestuar, madje banorët thonë se janë grabitur e tjetërsuar nga personazhe ndër vite, disa edhe në kohën e qeverisjes nga PD. Emrat e përfituesve me qindra e qindra hektarë tokë në Zvërnec nuk u zbardhën në sqarimin e Doktorit, edhe pse opozita e ka informacionin, por do të ishte në nderin e PD-së që të kërkonte një komision hetimor parlamentar në mënyrë që të rishikohej si janë përfituar titujt e pronësisë në Zvërnec nga një periudhë e caktuar dhe deri më sot.
Ky propozim duhet të shoqërohet me kërkesën për anulimin e ligjit, siç kërkojnë protestuesit, dhe anulimin e projektit specifik ku përfshihet familja presidenciale e z. Trump. Nuk bëhet fjalë se kush është pas projektit, por edhe sikur të ishte Zoti, ai projekt nuk mund të mbështetet nga opozita nëse dëgjohen qytetarët.
Pra ose e mbështet protestën, ose nuk e mbështet plotësisht, ose e mbështet pjesërisht. Dhe pas sqarimit, PD në thelb ka pranuar se e mbështet pjesërisht.
Në këto kushte, zëri i qytetarëve që protestojnë dhe interesat e vendit kërkojnë anulimin e projektit dhe investimit. Kaq.
E nëse nuk e thua këtë (për mua qëndrimi i parë i PD-së është ai i duhuri, pasi zakonisht në situata të tilla dhe nën presion qëndrimi i parë është më i sinqerti dhe i duhuri, sepse është instinktiv), atëherë më mirë mos thuaj asgjë.
Do të ishte më e ndershme dhe me më shumë bosht integriteti politik të mos përfshiheshe në sqarim pas sqarimi sipas zhvillimeve të situatës në terrenin e protestës, por të qëndroje në pozicionin e parë ku, për shkaqe krejt të ndryshme dhe që nuk varen prej opozitës, qëndrimet e PS-së dhe PD-së bëhen të njëjta.
Çdo akrobaci termash apo makijazh pa esencë që përpiqet të ngopë me lugë bosh protestuesit është autogol politik.
PD nuk ka pse përfshihet në kurthin që i është ngritur Ramës nga padronët e tij e që e kanë vënë në mes dy zjarresh shumë të rrezikshëm, jo vetëm për të ardhmen e tij politike, por edhe më shumë se kaq.
Kur padroni që të lëviz fijet dhe të lë si kukull me lecka është zemëruar dhe ta ka hequr vizën se e ke tradhtuar në kontratën që kishe me të, atëherë opozita nuk ka pse përfshihet më shumë se çfarë i takon.
Fati i Ramës është i hidhur dhe i vendosur.
E që opozita të përfitojë vërtet nga situata, i duhet një diskutim serioz, shumë serioz në KK, Kryesi dhe me veten, se çfarë duhet të bëhet që opozita t’i përshtatet kërkesave të kohës.
Ndryshe, treni i mundësisë historike që të jetë pjesë e ekuacionit në qeverisjen e ardhshme do të ikë dhe do ta lërë në stolin e rezervave për një kohë të pacaktuar sërish PD-në.



