back to top
20.9 C
Tirana
E premte, 5 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaNgërç te drejtimi i gjykatave?/ KLGJ frenon garën për kryetarët

Ngërç te drejtimi i gjykatave?/ KLGJ frenon garën për kryetarët

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi këtë të premte, më 5 qershor 2026, mbledhjen e radhës, ku në fokus të diskutimeve ishin procedurat për ngritjet në detyrë në disa prej gjykatave kryesore të vendit, proceset e lëvizjeve paralele të gjyqtarëve, si dhe çështje që lidhen me administrimin e sistemit gjyqësor.

Në mbledhjen e sotme, KLGJ vendosi të shtyjë shqyrtimin e disa projektvendimeve që lidhen me kualifikimin dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë për pozicione drejtuese në gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe ato të posaçme.

Konkretisht, u shty shqyrtimi për kandidaturën e Ermira Dedjës për pozicionin e kryetares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe për kandidaturat e Engert Pëllumbit dhe Dhimitër Larës, të cilët synojnë drejtimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Po ashtu, u shty edhe shqyrtimi i kandidaturës së Erjon Çelës për postin e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe kandidatura e Ramiz Lalës për drejtimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Paralelisht me këto vendime, qeveria e gjyqësorit miratoi renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele për një vend vakant në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në fushën e të drejtës penale.

Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte nisja e procedurave për verifikimin e kandidatëve që synojnë të ndjekin formimin fillestar për magjistrat, profili gjyqtar, në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2026–2027. Vendimi u mor pas hedhjes së shortit për caktimin e relatorit të çështjes.

KLGJ shqyrtoi gjithashtu edhe çështje administrative, duke miratuar nxjerrjen jashtë përdorimit dhe transferimin e disa aktiveve në gjykata të ndryshme të vendit, si dhe procesverbalet e mbledhjeve të mëparshme të datave 18 dhe 25 mars 2026.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli miratoi vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për dy kandidatë në fushën civile.

Bëhet fjalë për Juljan Haxhiun dhe Aurel Arapin, të cilët vijojnë garën për pozicionet e lira të shpallura më herët nga KLGJ në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat