Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka njoftuar këtë të martë se pensionistët që nuk kanë tërhequr ende shpërblimin e fundvitit 2025 kanë kohë vetëm deri sot, më 30 qershor, ora 14:00.
Në njoftimin zyrtar, ISSH sqaron se për shkak të numrit të lartë të kërkesave për tërheqjen e pensioneve dhe shpërblimit të fundvitit, është hapur përkohësisht sistemi i pagesave, duke shtuar se qendrat paguese të Postës Shqiptare do të qëndrojnë të hapura deri në orën e përcaktuar.
“Instituti i Sigurimeve Shoqërore njofton të gjithë përfituesit e pensioneve se, për shkak të numrit të lartë të kërkesave për tërheqjen e pensioneve dhe të shpërblimit të fundvitit 2025, ka hapur përkohësisht sistemin e pagesave të pensioneve”, thuhet në njoftim.
ISSH kujton se, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 26.11.2025, afati i fundit për tërheqjen e shpërblimit është 30.06.2026.
“Për këtë arsye, të gjitha qendrat paguese të Postës Shqiptare do të qëndrojnë të hapura edhe sot, datë 30.06.2026, deri në orën 14:00, për të mundësuar tërheqjen e pensioneve dhe të shpërblimit të fundvitit”, vijon njoftimi.
Megjithatë, njoftimi ka ngritur pikëpyetje për mënyrën dhe kohën e komunikimit me qytetarët, pasi afati është bërë publik vetëm pak orë para përfundimit të tij, duke lënë shumë pensionistë me pak kohë në dispozicion për të kryer tërheqjen.




