Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk e ka hapur këtë të martë garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ndonëse çështja ishte parashikuar në rendin e ditës për diskutim dhe miratim.
Sipas burimeve mediatike, mbledhja është shtyrë me dakordësinë e të gjithë anëtarëve të KLP-së, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar procedurat që do të ndiqen në shpalljen e thirrjes për aplikime. Kërkesa është pranuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë të pranishëm në sallë.
Sipas ligjit, brenda 30 ditëve nga hapja e garës, kandidatët duhet të dorëzojnë jetëshkrimin dhe të shprehin interesin e tyre pranë KLP-së, ndërsa më pas institucionet përkatëse kryejnë verifikimet e nevojshme. Megjithatë, anëtarët e KLP-së janë shprehur se ekzistojnë paqartësi lidhur me mënyrën e kryerjes së kontrollit të figurës dhe pasurisë së kandidatëve, në një kohë kur procesi i vetingut ka përfunduar mandatin e tij në qershor dhe ndryshimet e fundit ligjore të vitit 2026 kanë krijuar një situatë të re institucionale.
Për këto arsye, është vlerësuar e nevojshme që të rishikohen aktet dhe rregullat e garës, duke krahasuar edhe procesin e mëparshëm të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm shtatë vite më parë, kur u zgjodh Olsian Çela.
Olsian Çela është Prokurori i parë i Përgjithshëm që ka marrë detyrën sipas ligjeve të reformës në drejtësi, me një mandat 7-vjeçar. Më herët, ai ka shërbyer si prokuror në Krimet e Rënda, strukturë që u shua në vitin 2019 me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ndërkohë, jo zyrtarisht, mësohet se ndër emrat që përfliten si kandidatë potencialë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë Rovena Zoto, prokurore në Tiranë, Ylli Pjetërnikaj, prokuror në Tiranë dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës, si dhe Pranvera Pustina, drejtoreshë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.



