Një grup WhatsApp me 512 persona, ku përfshihen figura me zë publik dhe organizatorë të protestës, është bërë aktiv ditët e fundit pas vendimit për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar dhe përgatitjeve për protestën e 4 korrikut.
Në këtë grup, ku secili anëtar është i ftuar të japë mendimet e tij, diskutimet janë përqendruar te organizimi i protestës së madhe, përfshirë edhe përdorimin e flamujve dhe simbolikës në tubim. Megjithatë, mungesa e konsensusit mes pjesëmarrësve ka sjellë debate të forta dhe replika të ndërsjella.
Një nga propozimet në grup ka qenë përdorimi i flamujve të SHBA-së dhe Izraelit në protestën e 4 korrikut.
“Në datën 4 korrik në protestë do të ketë edhe flamujt të USA dhe të çifutërisë, si ju duket”, shkruhet në një nga mesazhet e grupit.
Pikërisht përdorimi i termit “çifutërisë” ka shkaktuar reagime dhe debate të menjëhershme mes anëtarëve të grupit.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka kërkuar tërheqjen e kësaj gjuhe, duke e cilësuar të papërshtatshme për një diskutim publik.
“Çdo të thotë ‘çifutërisë’ që përdoret këtu? Ju lutem tërhiqeni kush e tha. Kjo gjuhë nuk është për këtë grup. Më vjen shumë keq! Mund ta kishit thënë: Flamuri i Izraelit”, është shprehur Açka.
Në debat është përfshirë edhe eksperti i komunikimit Brenton Kotorri, i cili ka argumentuar se termi përdoret në disa kontekste si sinonim, duke shtuar se “political correctness nuk e bën domosdoshmërisht një debat më të vërtetë”.
Nga ana tjetër, Kastriot Çipi është shprehur kundër përdorimit të flamujve të huaj në protestë, duke theksuar se debati duhet të fokusohet te kauza e brendshme.
“Shteti i Izraelit quhet zyrtarisht Shteti Çifut i Izraelit”, është shprehur ai.
Flutura Açka ka vijuar më tej duke theksuar se përdorimi i një gjuhe të tillë është diskriminues dhe i dëmshëm për diskursin publik.
“Jo zotërinj dhe zonja të nderuara, lërini nuancat e gjuhës t’i shpjegojnë ata që merren me gjuhë. ‘Çifutëri’ është përçmuese, fyese dhe diskriminuese”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, Vehap Kola ka bërë thirrje për qetësim të debatit, duke theksuar se jo çdo diskutim duhet të zhvillohet në një grup të madh WhatsApp-i.
“Hedh dikush një gur në lum dhe hidhen të gjithë për ta kapur. Nuk bëhet çdo debat në një grup WhatsApp”, ka shkruar ai.
Ironikisht, zëdhënësi i Partisë Demokratike, Alfred Lela, është përgjigjur me një koment që ka shtuar më tej tensionin e debatit:
“A ta mbyllim me turkun?”, ka shkruar ai.
Debatet e shumta në grup vijojnë të tregojnë mungesë dakordësie mes organizatorëve, ndërsa përgatitjet për protestën e 4 korrikut vijojnë paralelisht, në një atmosferë të ngarkuar me diskutime dhe përplasje virtuale.



