Një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste ka vënë në alarm Policinë e Shtetit mëngjesin e sotëm, pasi mesazhi është dërguar në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit.
Në email pretendohet se në ndërtesat e institucioneve është vendosur një bombë, ndërsa autorët kërcënojnë se ajo do të shpërthejë brenda dy orësh. Mesazhi është firmosur në emër të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.
Pas marrjes së kërcënimit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur menjëherë kontrollet dhe verifikimet në institucionet e përfshira.
Sipas policisë, nga kontrollet e kryera deri në këto momente nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Në hetim është përfshirë edhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese po punon për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos përfshihen nga paniku, duke theksuar se strukturat e saj janë angazhuar për garantimin e sigurisë dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim të rremë dhe për identifikimin e personave që qëndrojnë pas dërgimit të email-eve.




