KreuAktualitetEkonomiaSkandali me pesticidet/ KLSH nxjerr zbuluar Ministrinë e Bujqësisë

Skandali me pesticidet/ KLSH nxjerr zbuluar Ministrinë e Bujqësisë

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ministria e Bujqësisë nuk kishte plan për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve të ndaluara. KLSH evidenton raste kur afatet e tregtimit në Shqipëri janë zgjatur përtej atyre të Bashkimit Evropian, duke ngritur pikëpyetje për kontrollin e produkteve që përdoren në fruta dhe perime.

Dhjetë produkte për mbrojtjen e bimëve, për të cilat janë evidentuar probleme me afatet e lejuara në raport me Bashkimin Evropian, kanë vijuar të jenë pjesë e tregut shqiptar. Problematika është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimet për periudhën 2022–2024, kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Anila Denaj.

Sipas gjetjeve të auditimit, Ministria e Bujqësisë nuk kishte marrë masat e nevojshme për të garantuar tërheqjen në kohë të produkteve që kishin humbur vlefshmërinë në tregun evropian. Kjo ngre shqetësime për mënyrën se si kontrollohen pesticidet që tregtohen në Shqipëri dhe përdoren nga fermerët për trajtimin e kulturave bujqësore.

Raporti evidenton raste konkrete kur afatet e vlefshmërisë së produkteve në listat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë kanë qenë më të gjata se ato të përcaktuara në listat përkatëse të BE-së.

Diferenca mes afateve në Shqipëri dhe BE

Një nga rastet e evidentuara është pesticidi Spinetoram, për të cilin në listat shqiptare ishte përcaktuar afati deri më 30 qershor 2025, ndërsa afati përkatës në listat e BE-së ishte 30 prill 2025.

Një tjetër rast është preparati Dimethomorph, të cilit në Shqipëri i ishte lënë afat deri më 30 prill 2025, megjithëse në listat evropiane afati përfundonte më 30 prill 2024.

Probleme me afatet janë konstatuar edhe për produktin Metaflumizone. Në listat shqiptare, vlefshmëria e tij ishte përcaktuar deri më 31 dhjetor 2025, ndërsa në listat e BE-së afati përfundonte më 31 dhjetor 2024. Sipas materialit të auditimit, ky produkt rezultonte edhe në listën e publikuar nga ministria në shkurt 2025.

Në listat shqiptare është evidentuar gjithashtu Clofentezine, me afat deri më 11 maj 2024, ndërsa në listat e BE-së afati përfundonte më 11 nëntor 2023.

Mungon plani për kontrollin e pesticideve

Përtej rasteve konkrete, KLSH ka konstatuar se Ministria e Bujqësisë nuk kishte një plan të qartë për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve që nuk lejohen më në tregun evropian.

Sipas gjetjeve, në listat përkatëse nuk përcaktoheshin qartë mënyra e zbatimit të procesit, institucionet përgjegjëse dhe mekanizmat e monitorimit. Kjo krijon paqartësi mbi mënyrën se si duhet të veprohet për tërheqjen e produkteve nga tregu dhe për kontrollin e respektimit të afateve.

Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka argumentuar se menaxhimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve nuk është vetëm përgjegjësi e saj, por përfshin edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe institucione të tjera.

Rrezik për fermerët dhe produktet shqiptare

Lejimi i tregtimit të produkteve përtej afateve të përcaktuara nga BE-ja mund të krijojë probleme jo vetëm për kontrollin e pesticideve, por edhe për fermerët shqiptarë.

Frutat dhe perimet e trajtuara me produkte që nuk lejohen më në tregun evropian mund të përballen me kontrolle më të rrepta dhe, në rast se nuk plotësojnë kërkesat përkatëse, të refuzohen në pikat e hyrjes në tregun e BE-së. Kjo mund të sjellë humbje ekonomike për prodhuesit shqiptarë.

Gjetjet e KLSH-së ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrollit shtetëror dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse, në një sektor ku siguria e produkteve bujqësore dhe mundësia e eksportit varen edhe nga respektimi i standardeve për përdorimin e pesticideve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat