Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ndërmarrë kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas burimeve, kontrollet po ushtrohen në disa banesa dhe ambiente zyrash të personave që dyshohet se kanë lidhje me dosjen hetimore. Gjatë veprimeve hetimore, SPAK ka ngritur dyshime për elementë të tjerë që lidhen me çështjen, çka ka sjellë zgjerimin e hetimeve.
Ndërkohë, më 31 korrik, SPAK pritet t’i komunikojë Ballukut vendimin për zgjatjen me tre muaj të afateve të hetimit.
Kujtojmë se, në tetor të vitit 2025, Belinda Balluku u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Vetëm një muaj më pas, ndaj saj u regjistrua edhe një procedim tjetër penal lidhur me dyshimet për shkelje në shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe, ndërsa iu komunikua edhe masa e pezullimit nga detyra.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa kontrollet e fundit të BKH-së konsiderohen pjesë e veprimeve për mbledhjen e provave dhe verifikimin e personave që mund të kenë lidhje me çështjen.



