Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar nga autoritetet italiane kundër një grupi të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se trafikon lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt Europës.
Hetimi u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Breshias në Itali dhe autoritetet zvicerane, duke çuar në sekuestrimin e mbi 1.3 ton kokainë, goditjen e disa bazave logjistike në Itali dhe arrestimin e 10 personave.
Nga 24 të dyshuarit për të cilët drejtësia italiane ka vendosur masa sigurie, 6 ndodhen në Shqipëri, ku 3 janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë ende në kërkim.
Detajet e hetimeve
Hetimi përfshin procedimet penale nr. 49/3 (viti 2023, ish nr.49 viti 2019) dhe nr. 29 viti 2024, të lidhura me veprimtari të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimit të parave, korrupsionit dhe veprave të tjera penale.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lejoi kontrollet për 21 persona nën hetim, të cilat u kryen më datë 27.11.2025 nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Hetimi u zhvillua në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me autoritetet italiane dhe zvicerane. Ky grup kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në Europë, duke përdorur rrugë detare dhe tokësore për transportin drejt Italisë.
Sekuestrime dhe arrestime
Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 1.300 kg kokainë, mbi 550,000 euro ‘cash’, 10 automjete, 1 pistoletë gjysmëautomatike si dhe 130 kg të tjera lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë), vlera e të cilave në treg mund të arrinte rreth 12 milionë euro
Po ashtu, janë arrestuar në flagrancë 10 persona, pjesë e grupit kriminal, ndërsa të tjerët janë nën masa sigurie të caktuara nga autoritetet italiane.
SPAK njofton gjithashtu se një oficer i Policisë së Shtetit është vënë nën hetim për zbulim të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Shtetasi, i identifikuar me inicialet Igli Haxhia, dyshohet se ka zbuluar të dhëna procedurale të sekretuara për personat e dyshuar në këmbim të përfitimeve monetare, duke kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin.
Hetimet e përbashkëta italiane kanë treguar se grupi kishte krijuar 6 baza logjistike operative në Itali, ku magazinohej dhe shpërndahej lënda narkotike. Sasia e kokainës pas hyrjes në Itali dyshohet se është ruajtur për shpërndarje, ndërsa të ardhurat nga shitja e drogës mblidheshin përmes “money mules” dhe shoferëve që transportonin paratë midis Shqipërisë dhe Italisë.



