Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot përpara Bashkisë Patos në shenjë proteste kundër reformës së re administrative dhe propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.
Me sloganin “Larg duart nga Patosi”, banorët kanë kundërshtuar çdo vendim që, sipas tyre, rrezikon të dëmtojë identitetin dhe të ardhmen e qytetit.
Protestuesit shprehen se reforma e propozuar mund të ndikojë në dobësimin e rolit të Patosit si njësi më vete dhe e konsiderojnë atë një hap që mund të përshpejtojë shpopullimin e zonës.
“Jemi të zhgënjyer, nuk duam të bashkohemi me Fierin”, u shpreh një prej protestuesve.
Banorët kërkojnë që përpara çdo vendimi për ndryshimet territoriale të merret në konsideratë mendimi i komunitetit dhe të zhvillohen konsultime me qytetarët.
Patosi ka një histori të lidhur ngushtë me industrinë e naftës, ndërsa naftëtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit. Protestuesit theksojnë se Patosi nuk mund të trajtohet vetëm si një njësi administrative, por si një zonë me identitet dhe histori të veçantë.
Qytetarët kërkojnë që çdo ndryshim në organizimin territorial të bëhet duke respektuar historinë, kontributin dhe nevojat e banorëve të Patosit.



